Shkëmbi me “dhimbje” koke, mesfushori i Teutës rrezikon pushim të gjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 12:51

Shkëmbi me “dhimbje” koke, mesfushori i Teutës rrezikon pushim të gjatë

Teuta ka vijuar dhe dje stërvitjen me dy seanca në ditë dhe ka nisur që të mendojë për sfidën e radhës në kampionat, atë që do ta zhvillojë me skuadrën e Flamurtarit në “Niko Dovana”. Të besuarit e trajnerit Blendi Shkëmbi do të synojnë 3 pikët në këtë duel si dhe ruajtjen e kreut të renditjes, aty ku edhe gara është bërë e ashpër momentalisht.

emiljano vila teuta

Durrsakët kanë dalë dje në stërvitje, por është parë që Emiljano Vila, për shkak të një dëmtimi që ka pësuar në kofshë, është stërvitur në mënyrë individuale. Megjithatë, stafi mjekësor po i kushton rëndësinë e duhur, duke shpresuar që gjithçka të jetë në rregull dhe Vila të jetë i gatshëm për të luajtur.

Në radhët e futbollistëve dhe stafit, ka besim se ndaj Flamurtarit do të dalin me tri pikë. Ndërsa, do të jetë për lojë në sfidën ndaj vlonjateve Todorovski, që me shumë gjasa pritet që ta nisë si titullar. Pritet që durrsakët ta lënë “bosh” fundjavën dhe të mos zhvillojnë asnjë ndeshje miqësore me asnjë skuadër. Me ekipin është bashkuar dhe Aleksandr Kuro, i cili kishte marrë leje nga klubi.

PËRGATITJET

Trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi teknik kanë rritur ndjeshëm intensitetin e përgatitjeve, teksa ekipi po stërvitet me dy seanca stërvitore në ditë kombinuar dhe me ushtrime force në palestër. Paradite ekipi zhvilloi një seancë force në palestër, ndërsa pasdite lojtarët kanë zbritur në fushë teksa i janë nënshtruar një seance tekniko-taktike.

teuta

Të gjithë futbollistët me profesionalizëm maksimal u përgjigjën kërkesave të stafit teknik, të bindur se do të punojnë shumë të gjithë ku skuadra do të kërkojë që këtë sezon ta mbyllë me trofe. Trajneri Bledi Shkëmbi po mban me “këmbë në tokë” grupin e lojtarëve të gatshëm. “Djemtë e detit” kanë një ecuri mjaft të mirë, kanë krijuar stabilitet në lojë dhe rezultate, ndërsa me përjashtim të humbjes në javën e pestë në Korçë, në të gjitha sfidat e tjera kanë marrë rezultate pozitive, kryesisht fitore. E gjithë vëmendja tashmë është përqendruar te Flamurtari, javë që është shumë e rëndësishme për durrsakët.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"