Shkëmbi “izolon” durrsakët, ja formacioni i mundshëm ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 13:21

Shkëmbi “izolon” durrsakët, ja formacioni i mundshëm ndaj Kukësit

Teuta-Kukësi, një ndeshje që ka aromë Europe. Pas pauzës së kombëtareve, ekipi durrsak do të presë sot në 18:45 në “Niko Dovana” ekipin e Kukësit. Ne prag ndeshjes, skuadra ka kryer seancën e së premtes me dyer të mbyllura, një plan i ndryshuar vetëm në çastet e fundit. Trajneri Shkëmbi ka dashur të mbajë larg ekipin nga “syri” i mediave.

shkembi teuta hasanbelliu

Gjithsesi, “Panorama Sport” mëson se seanca e fundit stërvitore nisi me një fjalim të shkurtër nga ana e Shkëmbit, për të kryer më pas një seancë thuajse normale. Grupi është paraqitur i plotë, duke pasur kështu të gjithë në dispozicion për verilindorët. Ajo çka është vënë re në kampin durrsak është serioziteti i grupit dhe stafit, të cilët kërkojnë të mos lënë pikë rrugës. Duke u nisur nga stërvitjet e fundit, Teuta pritet të rreshtohet me sistemin 4-3-3 edhe ndaj verilindorëve. Në formacion do të rikthehen “senatorët”, të cilët pushuan në ndeshjen e Kupës për të qenë të freskët ndaj Kukësit. Në katërkëndësh do jetë Isli Hidi. Reparti i mbrojtjes do t’i besohet dyshes eksperte Bici-Osmani në qendër, që do të kenë mbështetjen e Gjeorgjevskit në krahun e djathtë dhe Hakajt në të majtë.

shkembi

Çelësat e mesfushës do t’i besohen numrit “10”, Avdylit, i cili ka treguar siguri dhe shumë cilësi në ndeshjet e para. Sidibe sërish titullar, pasi është një “tank” i vërtetë. Surpriza e ndeshjes mund të jetë Progni, i cili mund të shtyjë pas Krujën, duke formuar sulmin së bashku me Kamaranë dhe Amadu Latif. Mbrojtja durrsake kërkon të ruajë vazhdimësinë e mospësimit të golit dhe ndaj sulmit të Kukësit. Nëse mbrojtja deri tani i ka kryer detyrat e saj, kjo nuk mund të thuhet për sulmin, i cili në tri javë ka realizuar vetëm një gol. Mbrojtja kundërshtare ka treguar luhatje në këtë sezon dhe kjo gjë pritet të shfrytëzohet në maksimum nga sulmi i “djemve të detit”. Të dyja skuadrat ndajnë respektivisht vendin e pestë dhe të gjashtë, me vetëm një pikë diferencë.

Shumë pak priten të jenë dhe diferencat në fushën e lojës, me një ndeshje qe i ka të gjithë “përbërësit” për të dhuruar një ndeshje të madhe. Një sezon më parë, pikërisht në javën e 33-të, ishte Teuta qe merrte një fitore (3-2) me anë të një përmbysje duke i hequr shansin e fundit edhe matematikisht Kukësit për titull kampion. Bilanci – Në 13 vizitat e Kukësit në “Niko Dovana”, midis Kupës dhe kampionatit, ka arritur të fitojë 6 herë dhe realizuar plot 18 gola. Teuta në bilancin e saj ka vetëm 5 fitore, me 15 gola të shënuar dhe vetëm dy sfida janë ndarë në barazim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"