Shkëmbi “gradon” Osmanin, do jetë kapiteni i ri i Teutës

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 13, 2018 | 14:31

Shkëmbi “gradon” Osmanin, do jetë kapiteni i ri i Teutës

Trofeu “Pascucci” ka zbuluar se kush do të jetë kapiteni i ri i Teutës. Trajneri Bledi Shkëmbi ka graduar në këtë detyrë ishshokun e tij te Skënderbeu, Tefik Osmani. Nënshkrimi me Osmanin dhe Lancinet Sidibe ka mbyllur përfundimisht merkaton e Teutës, edhe pse ka akoma kohë në dispozicion.

osmani

Bregdetarët janë përforcuar në të gjitha repartet, me mesfushën që ka pasur më tepër afrime pas largimeve të shumta në fund të sezonit. “Kemi bërë një merkato cilësore, por lojtarët që janë bashkuar rishtas me skuadrën kanë nevojë për më tepër kohë. Jam i kënaqur me kontingjentin që kam dhe besoj se merkatoja jonë është mbyllur këtu”, u shpreh Shkëmbi në përfundim të trofeut “Pascucci”. “Djemtë e detit” kanë nënshkruar në këtë merkato me 15 lojtarë: Hidi, Celeski, Bicaj, Osmani, Vogli, Kallaku, Ndreca, Sidibe, Camara, Deliu, Avdyli, Gashi, Vecaj, Deliu dhe Traore.

osmani

Afrimet më të mëdha janë në repartin e mesfushës, me trajnerin Shkëmbi që kërkon të ketë disa opsione për të aplikuar module të ndryshme. Triangolaria mes Partizanit dhe Lirisë së Prizrenit tregoi gjendjen e vërtetë të bregdetarëve, edhe pse në ndeshjen e dytë kundër të kuqve, trajneri aktivizoi në fushë më lojtarët që pritet të jenë alternativa gjatë sezonit. Konkurrenca do të jetë shumë e madhe, kjo ka bërë që lojtarët të shkëmbejnë batuta me njëri-tjetrin në stërvitje: “Çuna punoni fort se nuk e di kush do të luajë më parë”. Pra, edhe vetë lojtarët e kanë kuptuar se nuk ka asnjë të paprekshëm dhe për të qenë titullar, duhet dhënë maksimumi, jo vetëm në fushë, por edhe në stërvitje.

teuta

Edhe pse disa lojtarë janë bashkuar vetëm në ditët e fundit, bregdetarët pritet të luajnë në sezonin e ri me këtë formacion: në portë Hidi; Gjorgjevski, Osmani, Bicaj dhe Hakaj në mbrojtje; mesfusha do të përbëhet nga 5 lojtarë, me Sidibe dhe Avdylin përpara mbrojtjes. Ndërsa në mbështetje të Latif, i cili do të jetë në majë të sulmit, do të luajnë Vila nga e majta, Kamara nga e djathta dhe Kruja në rolin e sulmuesit të dytë.





www.minuta90.com