Shkëlqeu në Kategorinë e Parë, Laçi rikthen sulmuesin 21-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2022 | 20:10

Shkëlqeu në Kategorinë e Parë, Laçi rikthen sulmuesin 21-vjeçar

Laçi vazhdon minifazën përgatitore në Pogradec, ndërsa trajneri Shpëtim Duro është në pritje të përforcimeve. Ashtu siç e konfirmoi edhe në prononcimin për “Panorama Sport” dy ditë më parë, kreu i pankinës pret të paktën dy lojtarë të cilët do të zëvendësonin largimet e mesfushorëve titullarë: Ardit Deliu dhe Juljan Shehu.

Prengaj

Deri më tani është afruar mbrojtësi i djathtë serb, Luka Cucin, i cili është përshtatur me grupin dhe pritet të debutojë ndaj Iskras në Ligën e Konferencës. Ndërkohë, gazeta mëson se te Laçi është rikthyer së fundmi edhe sulmuesi Fatmir Prengaj. Ai ka qenë në formë huazimi tek Erzeni i Shijakut në Kategorinë e Parë dhe tashmë do të luajë sërish me kurbinasit.

21-vjeçari Prengaj ka nisur stërvitjen nën drejtimin e Duros dhe do të jetë i gatshëm për trajnerin, duke filluar nga ndeshja e 7 korrikut që në “Elbasan Arena” kundër malazezëve të Iskra Danilovgrad. Klubi kurbinas ka punuar këto ditë për të fiksuar miqësoret që do të zhvillojë gjatë qëndrimit në Pogradec. Të konfirmuara tashmë janë dy ndeshje, pikërisht me skuadra të Superligës së Kosovës. E para do të luhet nesër ndaj Gjilanit në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, ndërsa e dyta është parashikuar për në datën 28 qershor kundër Llapit të Podujevës.

prengaj (1)

Këto dy takime do t’i shërbejnë trajnerit për të parë më mirë gjendjen e grupit, për më tepër që kanë mbetur pak ditë deri në prag të ndeshjes së parë për Ligën e Konferencës. Duro shpreson që grupi të plotësohet sa më shpejt, në mënyrë që lojtarët të ambientohen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"