Shkëlqeu ndaj Vllaznisë, Berisha: Skënderbeu më cilësor se Bylisi, mbijetesa do punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 18:50

Shkëlqeu ndaj Vllaznisë, Berisha: Skënderbeu më cilësor se Bylisi, mbijetesa do punë

Elvi Berisha ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Inkursioni i tij në fillimin e lojës në krahun e majtë solli edhe golin e avantazhit të Skënderbeut pas goditjes së Dovunës nga jashtë zone. Pas aventurës me Tiranën, më pas te Leganes në Spanjë dhe Laçi, 21-vjeçari nga Fieri kërkon të shpërthejë në Korçë, me synimin për të kapur një ekip jashtë Shqipërisë.

ELVI BERISHA

Në një bisedë për “Panorama Sport”, fillimisht lojtari foli për rikthimin si protagonist pas disa ndeshjeve ku është ulur edhe në stol. “Nuk ka asnjë dyshim që stoli nuk të bën të ndihesh mirë në asnjë moment. Të gjithë futbollistëve, jo vetëm mua, u mungon fakti i të mos qenit titullar. Kjo ndodhi edhe me mua. Besoj se gjithçka ka ndodhur për disa arsye. Së pari, të gjithë lojtarët kanë uljengritjet e tyre dhe ka qenë një periudhë jo e mirë për mua. Së dyti, ndryshimi i skemës disa herë nga trajneri bënin që unë të mos isha pjesë e planit momental për shkak edhe të shprehive të mia.

Por, tani jam kthyer dhe jam në 100% të mundësive, shpresoj të bëj më të mirën”, tregon sulmuesi i krahut. Më pas ai foli për barazimin ndaj Vllaznisë, ku Skënderbeu pati shanset për të fituar. Megjithatë, një pikë ndaj shkodranëve është një sinjal i mirë, prandaj dhe Berisha beson te vazhdimësia e rezultateve pozitive në kampionat. “Kemi zhvilluar vërtet një lojë shumë të mirë me grintë dhe seriozitetin e duhur që ky ekip duhet të ketë gjithmonë. Barazimi i marrë përballë kryesuesve na jep shpresë dhe është një sinjal i mirë për vijimësinë. Kjo, duke u mbështetur edhe te loja e mirë që kemi bërë në këtë takim, tani na del për detyrë të vazhdojmë me të tilla paraqitje”, shtoi lojtari me origjinë nga Fieri.

elvi berisha

NDESHJA ME BYLISIN

Të shtunën Skënderbeu luan një transfertë shumë të vështirë ndaj Bylisit, por këtë sezon korçarët kanë fituar dy herë ndaj ballshiotëve. Gjithsesi, kjo ndeshje e fazës së tretë do të thotë shumë, për vetë pozitat jo të mira që kanë bardhekuqtë në tabelën e klasifikimit. “Ndeshja në Ballsh në momentin ku ndodhet kampionati mendoj se është më e rëndësishmja e sezonit për ne. Për këtë arsye duhet të japim maksimumin më shumë nga sa bëmë në ndeshjen me Vllazninë. Do të shkojmë atje të bindur tek cilësitë tona dhe me dëshirën për të marrë tri pikët nga ky takim. Nëse japim maksimumin dhe me pak fat në anën tonë ia dalim. Mendoj se Skënderbeu ka më shumë cilësi se Bylisi dhe se shumë ekipe të tjera në superiore. Mbijetesa? Ne do të bëjmë çdo gjë për të arritur që të qëndrojmë në Kategorinë Superiore, por normal që kjo kërkon shumë punë nga ana jonë dhe përqendrim maksimal në çdo ndeshje”, përfundoi 21- vjeçari.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"