Shkëlqeu ndaj Teutës, rrëfehet portieri i Skënderbeut: Më thanë “je si Navas”, por kam idhull…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 12:01

Shkëlqeu ndaj Teutës, rrëfehet portieri i Skënderbeut: Më thanë “je si Navas”, por kam idhull…

Heroi i kualifikimit të Skënderbeut në finale ka edhe një emër jo pak të rëndësishëm: Bekim Rexhepi. Portieri i ardhur në huazim nga Shkëndija e Tetovës ka bërë një superparaqitje në Durrës, duke ruajtur të paprekur portën në ndeshjen e Kupës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 24-vjeçari tregon emocionet e asaj sfide dhe elozhet nga shokët e ekipit. “I pagëzuar” si Kejlor Navas në ndeshjen e fundit nga shokët e ekipit, portieri rrëfen ambiciet dhe idhujt që ka.

REXHEPI

Keni luajtur ndaj Dinamos dhe Teutës titullar, duke u kualifikuar në finale. E kishit menduar se do t’i sillnit kaq fat Skënderbeut?

Të them të drejtën, jemi përgatitur maksimalisht për t’ia dalë në ndeshjen e Kupës. E dinim shumë mirë që nuk do të ishte një ndeshje e thjeshtë, pasi kundërshtari që kishim përballë, meritonte respekt dhe vlerësim. Për këtë bëmë të pamundurën që të ishim të vendosur mirë në fushë dhe të qartë psikologjikisht. Ishim të bindur në vetvete se do të ishim ne ata që do të kalonim në finalen e Kupës.

Reaguat mjaft mirë gjatë ndeshjes. Si u ndiet?

Nuk kam pse ta fsheh, ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme për mua. Emocione që rrallëherë të ndodhin dhe diçka e tillë të mbush me gëzim. Ajo që më bëri më shumë të ndiej emocione të forta ishte fakti se ndihmova ekipin të arrinte fitoren në një ndeshje kaq të vështirë.

Çfarë ju thanë shokët në dhomat e zhveshjes?

Ka qenë një atmosferë e veçantë. Të gjithë ishim të gëzuar dhe po festonim, ndërsa komplimentet ishin të shumta për gjithkënd. Ajo që më ka befasuar dhe më ka mbetur në mendje ka qenë komplimenti i Sadriut i cili më përshkroi si Kejlor Navas.

E keni pritur gjatë këtë moment për të treguar vlerat?

Pozicioni i portierit është shumë specifik dhe tejet i veçantë, pasi është vetëm një alternativë dhe duhet të presësh kohën. Duhet të presësh rastin për t’i treguar vlerat. Edhe unë gjatë kësaj kohe këtë kam bërë, jam stërvitur fort dhe kam pritur momentin tim. Ndoshta kjo ishte ndeshja ideale për t’i treguar të gjitha vlerat.

A mendoni se tani do të duhej edhe një shans në kampionat për ju?

Mua personalisht më takon të stërvitem fort çdo ditë dhe të jap maksimumin tim në ndeshje zyrtare kur më takon të luaj. Normalisht që pas këtyre paraqitjeve pres rastin tim edhe në kampionat, por është trajneri ai që vendos për këto gjëra dhe unë e respektoj vendimin e tij.

Cilat janë ambiciet që keni dhe cili është idhulli juaj?

Ambiciet e mia janë që të jem pjesë e një ekipi të madh europian dhe të them të vërtetën, Spanja është një nga ligat që më pëlqen më shumë të luaj dhe në njëfarë mënyre më josh. Për sa i përket modelit, Iker Kasijas është idhulli im pasi e kam ndjekur në detaje për sa kohë ai ka luajtur. Veç kësaj, edhe gjatësia jonë është e njëjtë, prandaj kam marrë gjithmonë si shembull atë.

Mbijetesa dhe trofeu i Kupës, Skënderbeu mund t’ia dalë këtë sezon?

Në ekip ka shumë atmosferë dhe besim. Ne kemi motivimin në maksimum dhe besojmë shumë tek njëri-tjetri për cilësitë që kemi. Jemi shumë të bindur se mund të arrijmë mbijetesën dhe të fitojmë Kupën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"