Shkëlqeu me paraqitjet e tij, “bomberi” i skuadrës së Kategorisë së Parë zbulon të ardhmen: Kam dy oferta…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2021 | 20:16

Shkëlqeu me paraqitjet e tij, “bomberi” i skuadrës së Kategorisë së Parë zbulon të ardhmen: Kam dy oferta…

Nisin ofertat për Mikel Cankën, e megjithatë “bomberi” nuk lëkundet. Ai e ka vendosur, do të presë Tomorin. I ka disa kushte për rinovimin, të cilat nuk ngurron që t’i zbulojë hapur edhe për “Panorama Sport”. Teksa skanon sezonin që sapo u mbyll dhe emocionet që mori, ai shprehet:

Tomori Canka

“Nuk mund ta fsheh, mora shumë nga Tomori. Ishte një vit që më ofroi emocione të mëdha, ndaj më vjen shumë keq që në fund nuk mundëm të realizojmë misionin final: ngjitjen në Superiore. Dhashë kontribut maksimal dhe ‘kurora’ e golashënuesit të kësaj kategorie është dëshmia më e mirë. E megjithatë, kjo arritje është ekipore.

Pa shokët, nuk do t’ia dilja. Tmerrësisht i vlerësuar u ndjeva kur më dhanë shiritin, por përgjegjësinë që më ngarkuan e përktheva duke lënë gjurmë me gola. E vetmja gjë që më mungoi ishin tifozët. Nëse ata do t’i kishim në stadium, jam i sigurt që shumë më shumë do të përfitonim”, u shpreh fillimisht 34- vjeçari. Teksa flet për të ardhmen, sulmuesi zbulon se ka marrë dy telefonata pas finales. E thotë hapur që Tomori do të jetë zgjedhja e tij e parë, e megjithatë disa kushte i kam. Nuk ngurron që të na rrëfejë edhe ofertat që i kanë ardhur fill pas asaj finaleje të luajtur me Kastriotin.

“Për sa i përket së ardhmes, një gjë më duhet të them me shumë siguri: Tomori do të jetë zgjedhja ime e parë. Pres një ofertë edhe më të mirë financiare. E megjithatë, duhet të ulem fillimisht me drejtuesit dhe më pas do të vendosim për shumëçka. Do të doja që klubi dhe stafi teknik të ruajë grupin, sepse vetëm kështu do të ishim në gjendje që të nisim sërish me pretendime sezonin 2021-2022.

Nëse kjo ndodh, jam i sigurt që ngjitja do të jetë një formalitet. Dua të rrëfej se menjëherë pas përfundimit të finale me Kastriotin, në telefonin tim erdhën ofertat e para. Do të veçoja dy të tilla, nga dy skuadra të njohura të Superiores dhe të së Parës.

Ajo që mund të them me bindje dhe siguri të plotë, që Tomori do të jetë skuadra që do të dëgjoj dhe pranoj fillimisht. E kam detyrimin për gjithë vlerësimin që më dhanë. Kam ndier një lloj familjarizimi, ndaj u jam borxhli”, përfundoi Canka.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"