Shkëlqeu me Kastriotin, flet Marku: Kam oferta, por klubi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2019 | 12:22

Shkëlqeu me Kastriotin, flet Marku: Kam oferta, por klubi…

Pavarësisht shkëlqimit që pati Kastrioti nga janari i 2019-ës, nuk mund ta shpëtonte sezonin. Zyrtarisht ranë dhe tashmë po mendojnë për Kategorinë e Parë. Pavarësisht kësaj, pjesa dërmuese e lojtarëve ka gjasa që të qëndrojë, pasi janë nën kontratë dhe vetëm me lejen e klubit mund të largohen.

gghnhj

Njëri prej tyre është edhe Taulant Marku, i cili ka bërë paraqitje mjaft të mira. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi 24-vjeçar i krutanëve thekson se rikthimi në elitë nuk do të vonojë.

“Bëmë një kampionat të mirë në Superiore, por nuk arritëm të mbijetonim. Nuk e meritonim këtë verdikt, megjithatë duhet pranuar se gabuam në dy fazat e para, sidomos në ndeshjet direkte me rivalët. Tashmë, kampionati ka mbaruar dhe ne duhet të shohim përpara për sezonin e ri. Do të jetë një vit i vështirë në Kategorinë e Parë, megjithatë ne duhet të marrim masat për ta përballuar. Dihet gjendja e infrastrukturës në këtë kategori, apo futbolli që luhet aty, por nëse do të ruhet pjesa kryesore e grupit dhe bëhen përforcimet e duhura, besoj se rikthimi nuk do të diskutohet”, deklaroi fillimisht ai.

I pyetur për të ardhmen, Marku pranon se ka oferta, por tregohet i rezervuar për emrat e skuadrave të interesuara dhe deklaron se çdo gjë do të varet nga Kastrioti për të ardhmen e tij. “Si çdo lojtar, edhe unë kam pasur oferta nga Superiorja dhe Kategoria e Parë. Por, duke qenë se jam në kontratë me Kastriotin, është klubi ai që vendos për të ardhmen time”, përfundoi sulmuesi, i cili ka shënuar edhe dy gola në sezonin që sapo u mbyll.

Bujar Balliu-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"