Shkëlqeu kundër Barcelonës, rrëfehet Favre: Humels të thirret në kombëtare
Mats Humels ishte pa dyshim lojtari më i mirë në ndeshjen e Champions-it midis Borusia Dortmund dhe Barcelonës.
Mbrojtësi gjerman që luan për verdhezinjtë i fitoi të gjitha dyluftimet (si rrallëherë në një ndeshje Champions-i)duke mahnitur jo vetëm tifozët e Borusias, por edhe trajnerin Lusien Favre që ka një mesazh për trajnerin e kombëtares, Joakim Lëv. “Pas këtyre dy ndeshjeve, nuk ka asnjë diskutim, Mats duhet të luajë për Gjermaninë. Mendoj se është më se e merituar. Edhe pse kjo nuk është punë për mua, pasi nuk jam unë ai që vendos. Por kështu se si po luan Humels kohët e fundit, e pabesueshme”, tha trajneri francez para ndeshjes me Frankfurtin të dielën pasdite.
Kujtojmë se Mats Humels u largua nga trajneri Joakim Lëv pas Botërorit në Rusi pasi nuk ishte më në planet e tij. Së bashku me Zherom Boateng dhe Tomas Myler, Humelsit iu desh të largohej nga kombëtarja. Edhe pse lojtari asnjëherë nuk është dorëzuar duke premtuar se do të rikthehej sërish me “pancerat”. “Do t’ua tregoj të gjithëve se trajneri ka bërë një zgjedhje të gabuar, edhe pse për momentin më duhet ta pranoj një vendim të tillë”, u shpreh Humels pasi mori vesh vendimin e 59-vjeçarit.
Mats u largua nga skuadra e Bajernit në fund të sezonit të shkuar duke iu bashkuar ish-ekipit të tij, Borusia Dortmund me të cilën u bë i njohur. Tani duket se ka ardhur sërish koha për trajnerin Lëv për të menduar një rikthim të tij, duke parë edhe vështirësitë që po kalon skuadra e Gjermanisë në repartin e mbrojtjes, defekte që ranë në sy shumë në ndeshjen ndaj Holandës në Hamburg, ku “pancerat” u mundën me rezultatin e thellë 2-4.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"