Shkëlqeu, edhe pse jo në pozicionin e tij. Roshi: Mund të bënim më mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2017 | 10:41

Shkëlqeu, edhe pse jo në pozicionin e tij. Roshi: Mund të bënim më mirë

Ishte një nga lojtarët më të mirë, edhe pse i aktivizuar jo në anën e tij të preferuar. Odise Roshi, edhe në rolin e mesfushorit të majtë ia ka dalë që të jetë një rrezik prezent në mbrojtjen italiane, ku ka tentuar edhe të surprizojë Bufonin me dy goditje nga distanca.

Roshi vs Itali

“Më vjen keq që nuk shfrytëzuam rastet që krijuam në fillim. Do të kishte qenë një tjetër ndeshje. Për fat të keq, Italia na shënoi shumë shpejt”, është shprehur fillimisht Roshi në përfundim të takimit. Më tej, ai ka komentuar rolin që kishte dhe goditjet e tij nga distanca.

“Goditja? Ishte një moment që e mora mirë topin, por e godita lart. Për pasojë, iku aq mbi tra. Mesfushori i majtë? E kam biseduar edhe me trajnerin dhe kemi rënë dakord. Për mua nuk më sjell asnjë shqetësim që të jem në këtë pozicion. Në ndeshje të tilla, kur kundërshtari është dukshëm shumë i fortë, vlejnë edhe paraqitjet dhe mësimet e fituara”, ka deklaruar Odise Roshi për “TVSH”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"