Shkëlqen edhe me kohë të pjesshme në fushë, Dibala: Kam lindur gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 9:39

Shkëlqen edhe me kohë të pjesshme në fushë, Dibala: Kam lindur gati

“Born ready”, i lindur gati. Vetëm dy fjalë për t’ia thënë botës: “Nëse duhem, nëse keni nevojë për dikë që t’ju nxjerrë gështenjat nga zjarri, atëherë e dini se ku ndodhem…”. Paulo Dibala, në mbrëmjen e ëmbël pas ndeshjes me Milanin, i beson “Instagramit” për të lëshuar mesazhet e tij. 

dibala

ASNJË LAMTUMIRË

Por nuk është një mesazh polemizues, nuk ka nevojë që të jetë i tillë. Është një konstatim i thjeshtë. Kur “La Joya” duhet, ai është gjithnjë gati për të dhënë ndihmesën e tij. Për pjesën tjetër, që prej verës, kur ai ishte në pikën për të bërë gati valixhet për të lënë Torinon, argjentinasi e dinte se duke qëndruar bardhezi asgjë nuk do të ishte më si më parë.

Dibala

Dibala nuk e priti mirë vendimin e klubit për ta nxjerrë në merkato dhe Juventusit nuk i pëlqeu loja kokëfortë e tij për të mos u larguar. Në fund, asgjë nuk ndryshoi dhe martesa vazhdoi, por sulmuesi kuptoi se nuk do të ishte një “zgjedhje e parë” dhe do t’i duhej të ngrohte stolin, edhe pse do të ishte një rezervë luksi e ulur në atë pankinë. Ishte diçka që e bëri pa i rrahur fort këmbët në tokë për t’u ankuar, duke u përshtatur me situatën e re.

PAULO ËSHTË

Hapësirat Paulo i ka pasur deri tani dhe i ka shfrytëzuar ato si mos më mirë. Përveç dy pankinave kundër Parmës dhe Fiorentinës, ai ka luajtur gjithnjë. Një herë titullar në katër ndeshjet e Ligës së Kampioneve (në shtëpi kundër Lokomotivës së Moskës dhe dy golat vendimtarë që shënoi) dhe shtatë herë titullar në kampionat (me golat me peshë kundër Interit, Leçes dhe Milanit). Kuqezinjtë, veç të tjerash, janë dy viktimat e tij të preferuara: shtatë gola të shënuar në karrierë në portën e “Djallit” (ai i së dielës ishte i pari me të djathtën…). Kundër asnjë ekipi tjetër nuk ka bërë më mirë.

dibala

I PËRPIKTË 

Edhe pa qenë titullar, Dibala po respekton trendin e golave të shënuar që kur është te Juventusi (5 sezonet e fundit). Tani jemi në kuotën e 5 golave mes kampionatit dhe kupave. Një vit më parë dhe në sezonin e tij të debutimit me fanellën e kampionëve, ai kishte shënuar një më shumë, ndërkohë që gjatë 2016-’17 golat ishin katër. Por në fund të muajit tetor ai pësoi një dëmtim që e mbajti larg fushës për më shumë se një muaj.

E vështirë është vetëm që t’i afrohet nisjes së tij më të mirë të sezonit me fanellën e Juventusit, sezonit 2017-’18, kur në 12 javët e para të kampionatit ishte në kuotën e 11 golave, me dy tripleta (kundër Xhenoas dhe Sasuolos) dhe një dopietë (në derbin kundër Torinos), përveç dy golave të tjerë në Superkupën e Italisë kundër Lacios.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"