“Shkëlqej dhe iki jashtë”, rrëfehet Gripshi: Di që më kërkojnë disa ekipe, ju tregoj si e futëm në kurth Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2019 | 17:26

“Shkëlqej dhe iki jashtë”, rrëfehet Gripshi: Di që më kërkojnë disa ekipe, ju tregoj si e futëm në kurth Tiranën

Nazmi Gripshi po udhëheq Skënderbeun e këtij sezoni. Mesfushori i talentuar durrsak është golashënuesi më i mirë i korçarëve me katër gola, por ka qenë vendimtar thuajse në çdo fitore të skuadrës edhe me asistet për sulmuesit. I blerë te Teuta për 60 mijë euro tri vite më parë, Gripshi ka fituar pjekurinë e duhur për të qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm. 

Gripshi

Tashmë i riu beson se duke shkëlqyer te Skënderbeu, do të ketë mundësi për të kapur një kontratë jashtë Shqipërisë. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai foli për momentin e mirë që po kalon, fitoren e fundit ndaj Tiranës dhe të ardhmen. Gripshi preku edhe oshilacionet që ka shfaqur skuadra këtë periudhë.

Në ndeshjen e fundit ku fituat ndaj Tiranës, a mund të themi se është treguar forca e vërtetë e Skënderbeut?

Ndeshja ndaj Tiranës shkoi ashtu si ne e kishim menduar dhe e kishim punuar gjatë gjithë javës. Besoj se me detyrat e dhëna nga profesor Daja, ne arritëm t’i merrnim tri pikët dhe të shënonim fitoren e dytë radhazi në kampionat, që ishte shumë e vlefshme për renditjen.

Një lojë që nuk e kishim parë kurrë, një Skënderbe që mbron mirë dhe kundërsulmon shpejt…?

Me Skënderbeun jemi mësuar që të krijojë volum loje dhe raste. Jemi të mësuar të shohim një Skënderbe që imponon në lojë dhe sulmon në çdo moment. Por, ndryshe nga herët e tjera, në pjesën e parë kemi diktuar dhe më pas jemi munduar të mbajmë rezultatin duke u kujdesur më shumë për pikët.

 Këtë herë ishit në një pozicion tjetër. Ju duket sikur shkon më mirë nga brenda mesfushës?

Unë kam dëshirë të luaj në fazën sulmuese, pasi atje jam më shumë në pozicion natyral. Ndihem shumë më mirë kur jam afër portës dhe kjo më shkon përshtat. Por, në këto ndeshje trajneri më ka kërkuar një pozicion të ri, të cilin duket se jam duke e bërë mirë. Nëse është e nevojshme për ekipin të luaj këtu, jam i gatshëm ta bëj.

Gripshi Skenderbeu

 Këtu i referoheni inkursionit në krah te goli i Krasniqit… 

Po, është e vërtetë që kjo është loja ime në atë pozicion. S’e e besoja edhe vetë se do të arrija deri atje në atë moment. Por, kur e pashë situatën të tillë, gjeta Krasniqin të lirë dhe vendosa që të shërbej. Për fat të mirë rezultoi zgjedhja e duhur.

 Si ju duket ky kampionat?

Është një kampionat i fortë, ku të gjitha ekipet janë të vështira për t’u kaluar. Kërkohet impenjim maksimal në çdo ndeshje. Duhet të bëjmë kujdes, pasi çdo takim mund të sjellë të papritura për ne.

Teuta është kundërshtari i radhës, mbi të gjitha skuadra ku ju jeni afirmuar në kampionatin shqiptar. Çfarë ndeshjeje prisni? 

Një ndeshje e fortë si të gjitha ndeshjet e kampionatit. Koha e pushimit besoj se do të na bëjë mirë për vetë faktin se do të mund të rikuperojmë ato pjesë që na kanë munguar në këtë moment. Nga ana tjetër, mund të themi se në disa ndeshje kemi humbur përqendrimin, por me punë ia kemi arritur ta përqendrojmë performancën tonë.

 Janari po vjen, e shikoni veten në merkato? 

Unë jam nën kontratë me Skënderbeun dhe kam dëgjuar se shumë ekipe janë të interesuara për mua. Jam i vetëdijshëm se mund të arrij një kontratë jashtë nëse bëj më të mirën në Korçë. Më pas gjithçka mbetet në dorë të klubit dhe presidentit Takaj.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"