“Shkelm” kaosit, Tomori zgjedh Dalipin për stolin: Vij me mision, festojmë 100-vjetorin në elitë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2021 | 12:41

“Shkelm” kaosit, Tomori zgjedh Dalipin për stolin: Vij me mision, festojmë 100-vjetorin në elitë!

Nxitojnë te Tomori, i japin fund kaosit. 48 orë pas shpërndarjes së ekipit nga grumbullimi dhe dorëheqjes së Bledar Sinellës, situata kthehet në “shina”. Jo vetëm që janë kthyer në stërvitje, por kanë edhe një trajner të ri. Ervin Demo ka dhënë “veton” për stolin. Kryebashkiaku ka pranuar largimin e kavajasit dhe direkt ka zgjedhur Klevis Dalipin si pasuesin e tij. Do të jetë elbasanasi “timonieri” i beratasve për sezonin 2021- 2022, nga i cili kanë vetëm një mision: ngjitjen. Ai është prezantuar para ekipit dje, bashkë me stafin teknik. Zv.trajneri Iken Droboniku, trajneri i portierëve Madrid Muxhajin dhe drejtori Avenir Bejo, rikonfirmohen nga sezoni i kaluar.

klevis dalipi tomori 1

PREZANTIMI – Ishte vetë kryebashkiaku Ervin Demo që e prezantoi trajnerin e ri para ekipit. Gjatë fjalës së thënë para lojtarëve, ai u shpreh: “Ju prezantoj trajnerin e ri dhe stafin e tij. Të gjithë e njihni Klevis Dalipin, të cilin e zgjodhëm prej profesionalizimit, kulturës dhe eksperiencës që zotëron. Unë ju siguroj se nuk do të kursehem aspak për plotësimin e nevojave që ka skuadra, vetëm e vetëm që sezoni 2021-2022 të na kthejë aty ku të gjithë duam: në elitë. Kemi emër dhe traditë në futbollin shqiptar dhe kjo na ndihmon që të jemi midis pretendentëve në këtë garë. Për çdo hall dhe problem do të kontaktoni me klubin dhe mua personalisht, pasi jemi një familje”.

TRAJNERI – Nuk kishte si të mos fliste edhe Klevis Dalipi. Trajneri ka ardhur në Berat me një mision të qartë, të ngjisë ekipin për 100-vjetor. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai shpalos objektivat dhe planin që ka për merkaton.

“Në Berat erdha me një mision shumë të qartë: ta ngremë Tomorin aty ku dëshiron tifozëria. Unë e mirëprita ftesën e presidentit Ervin Demo dhe ndihem i vlerësuar që do drejtoj një ekip me histori 99- vjeçare. Këtë sfidë të re të karrierës sime dua ta kurorëzoj me ngjitjen. Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të themelimit të klubit, do tentojmë të ngjitemi në elitë. Ky nuk është thjesht një premtim, por një detyrim.

Kur them që s’dua të bëj premtime, kam parasysh që të mos jemi as euforikë dhe as të ndikuar nga ambienti entuziast që na rrethon këtu në Berat. Personalisht i mëshoj vetëm punës dhe vetëm nëpërmjet saj mund të vijnë rezultatet. Vlerësoj grupin që gjeta në skuadër, por kjo nuk do të thotë që s’do të bëjmë të tjera përforcime. Jemi të hapur deri në limitet e merkatos”, përfundoi 45- vjeçari, që vjet drejtoi Korabin.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"