Shkatërroi Zvicrën me tri “perla”, Ronaldo theu edhe tabunë 30-mujore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2019 | 23:36

Shkatërroi Zvicrën me tri “perla”, Ronaldo theu edhe tabunë 30-mujore

Ndoshta duhet të jetë efekti i fanellës së kuqe. Kristiano Ronaldo, të mërkurën në mbrëmje, e nisi aty ku e kishte lënë, një gol me goditje dënimi me Portugalinë.

kristiano ronaldo

Kushdo që i ka parë imazhet, e njohu menjëherë stilin e tij: këmbët e hapura, frymëmarrje e thellë, hapa të vegjël dhe goditje e fortë në shtyllën e mbrojtur nga portieri. Somer mbeti i ngrirë përballë jashtëtokësorit portugez, njësoj si De Gea, në minutën e 93-të, në ndeshjen e parë të fazës së grupeve, në Botërorin 2018, përballë Spanjës, ku edhe aty realizoi një tripletë.

TABU 30-MUJORE

E gjithë kjo nuk do të ishte kaq e veçantë, nuk do të përbënte kaq lajm nëse nuk do të ishte se së fundmi Ronaldo është “grindur” shpesh me veten për sa u përket golave me goditje dënimi.

Në sezonin e tij të parë me Juventusin, maksimumi që kishte arritur të bënte ishte të kalonte sferën mbi barrierë, por pa e dërguar asnjëherë në rrjetë. Në 16 tentativa, asnjë e saktë nga një goditje dënimi dhe sigurisht që kur kanë parë se kjo tabu u thye me bluzën e Portugalisë, ndoshta tifozët bardhezinj do ta kenë marrë disi me ironi, ndonëse faktet flasin se gola nga një pozicion i tillë nuk kishin pak, por 30 muaj që mungonin, kur bëhet fjalë për aventurën në klube.

Që nga sezoni 2016-2017, kur ishte ende pjesë e Realit të Madridit e deri në ndeshjen e fundit të Serisë A me fanellën e Juventusit, Ronaldo kishte provuar 46 goditje dënimi në portën rivale, por si për çudi vetëm njëra prej tyre përfundonte në rrjetë: konkretisht më 16 nëntor 2016, në derbin e kampionatit spanjoll, përballë Atletikos së Madridit. Në rang klubesh, një mungesë e tillë prej më shumë se një viti e gjysmë sigurisht që nuk mund të kalonte pa u vënë re, sepse po flasim për Kristiano Ronaldon, jo për një lojtar të çfarëdoshëm…

53 TRIPLETA DHE REKORD

Duke kaluar te shifrat dhe golat në total të Ronaldos, edhe në kombëtare goli kishte kohë që i mungonte, saktësisht 350 ditë të plota, duke qenë se për t’iu përkushtuar me kohë të plotë Juventusit, ai hoqi dorë nga përfaqësuesja në tri grumbullime të tyre, por rikthimi në një ndeshje zyrtare ishte më i bukur sesa mund të mendohej, sepse goli i fundit me bluzën e Portugalisë ishte ai i shënuar ndaj Marokut, sërish në Botërorin rus. Ndërsa në rang tripletash, pas asaj me Zvicrën, kjo kuotë u rrit në 53 në karrierë, ndërsa shifra totale e golave shkoi në 689. Por, duke mbetur te kombëtarja, pas mbrëmjes së të mërkurës, 34- vjeçari u ngjit në vendin e dytë në podium. Ai preku 88 golat me përfaqësuesen, duke parakaluar legjendën Pushkash, ndërsa përpara ka vetëm një. Është Ali Daei, legjenda e Iranit, i cili në karrierë numëron 109 gola në 149 prezenca dhe ky rekord absolut është vetëm 21 gola larg për Ronaldon…

Përgatiti: JETON STAMOLLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"