Shkarkohet Maxarri, në stol ulet Mançini

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2014 | 10:00

Shkarkohet Maxarri, në stol ulet Mançini

Mancini-MaxarriE papritur dhe surprizuese. Interi ka shkakrkuar trajnerin Valter Maxarri në prag të derbit të Madoninës, duke i hapur kësisoji vendin rikthimit të Roberto Mancinit në stolin zikaltër. Eshtë “Sky Sport 24” që lëshon “bombën”. Ish-trajneri i Mancester Sitit duket të jetë gati për të nënshkruar me klubin e presidentit Erik Tohir, pasi e ka arritur marrëveshjen përkatëse. Ky i fundit kërkon patjetër kthesën e të tijve në sfidën e radhës në kampionat, ndaj Milanit. Kujtojmë se Roberto Mancini ka qenë ish-trajner i Interit në vitet 2004-2008. Pra, ai është gati të rikthehet në klubin zikaltër, të nënshkruajë me presidentin Tohir, që nga ana tjetër ka shkarkuar Valter Maxarri. Ky vendim është marrë të enjten në mbrëmje, sipas medias italiane. Maxarri u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta, ku pas 11 javësh kampionat, Interi gjendet në vendin e nëntë me 16 pikë.
Shkarkimi i Maxarrit erdhi natën, me Erik Tohir që i habiti të gjithë. Dukej se Maxarri gëzonte një besim të gjatë dhe ende mund t’i luante shanset e tij. Presidenti i Interit ka vendosur papritur për një shkarkim të menjëhershëm. Tohir ia ka njoftuar tashmë vendimin e tij Maxarrit, kështu që ky është shkarkimi i i parë në karrierën e tij. Mancini merr përsipër udhëheqjen teknike të ekipit të Inter përpara supersfidës së të dielës në “San Siro”, kundër Milanit. Vetëm pak ditë më parë Mancini nuk e kishte përjashtuar një kthim si trajner i Interit: “Nuk shoh që Maxarri rrezikon, por në futboll gjithçka mund të ndodhë.”
Në njoftimin zyrtar të klubit thuhet se bordi ka vendosur për shkarkimin e Maxarrit, duke arritur marrëveshje me Mancinin. Në deklaratën e parë për media, Maxarri e ka komentuar kështu shkarkimin e tij: “I uroj suksese Mancinit. Shpresoj të ketë rezultate të mira. E di që do ta ketë vështirë për shkak të presionit të madh të presidentit dhe tifozëve.”
Karrierën si trajner, Roberto Mancini e ka filluar në vitin 2001 te Fiorentina, ku qëndroi vetëm një sezon. Më pas drejtoi Lacion së vitet 2002-2004. Katër vitet e mëpastajme i përkasin periudhës kur drejtoi Interin, duke dalë edhe kampion me të, para se të braktiste Italinë dhe të zhvendosej në Angli. Nga viti 2009 deri më 2013 ai drejtoi Mancester Sitin, ku fitoi pas 44 vitesh “agjërim” edhe një titull kampioni me “qytetarët”. Në karrierën e tij figuron edhe eksperienca në Turqi, te gjitgandët e Beshiktashit, në sezonin e kaluar.

Morati: I lumtur që rikthehet Mancini
Ish-presidenti i Interit, Masimo Morati, ka folur për ndryshimet në stolin drejtues të zikaltërve. “Më vjen keq për Maxarrin, i cili sigurisht që ka dhënë më të mirën e vet tek Interi, por ndonjëherë rezultatet nuk janë ato që priten. Po ashtu, jam i lumtur që Mancini do ta zëvendësojë atë. Me Roberton kam fituar për herë të parë. Ai është shumë i mirë si trajner, punon shumë dhe është i nevojshëm për këtë kohë të vështirë që po kalon Interi.”
Ish-presidenti i Interit e ka mbyllur komentin e tij për rrokadën Maxarri-Mancini në stolin zikaltër. “Nëse Tohir e ka dëgjuar këshillën time? Natyrisht, ai e kishte në mendje për ta bërë këtë…”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"