Shkarkimi i Haxhiut, Mëziu: Nuk mund të ankohet trajneri gjithë kohës për lekët e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2017 | 16:34

Shkarkimi i Haxhiut, Mëziu: Nuk mund të ankohet trajneri gjithë kohës për lekët e lojtarëve

Administratori i Korabit, Fehmi Mëziu, ka argumentuar arsyet që e çuan të shkarkonte trajnerin Gerd Haxhiu një ditë para ndeshjes kundër Skënderbeut. Ai ka pranuar përplasjet e vazhdueshme me trajnerin, por në “Gol pas Goli” e cilësoi si të pakuptueshme faktin që trajneri gjatë gjithë kohës vazhdonte e përsëriste të njëjtën gjë: rrogat e prapambetura të lojtarëve.

gerd haxhiu mziu

Për largimin e trajnerit Haxhiu

“Pas humbjes 2-0 me Luftëtarin në Gjirokastër, trajneri më kërkoi të largohej nga drejtimi i skuadrës dhe i thashë që për mua nuk kishte asnjë problem sepse ishim jashtë objektivit për mbijetesë. Megjithatë vazhduam normalisht. Kemi patur probleme siç ka dhe në skuadrat e tjera dhe lojtarët kanë 3 muaj pa u paguar.

Më pas patëm një përplasje pas humbjes me Flamurtarin. I thashë trajnerit që për rezultatin 6-0 mund të kishim luajtur edhe me 19-vjeçarët dhe i kërkova të ishim të përgjegjshëm për ta mbyllur me nder këtë kampionat.”

Për dështimin e sezonit

“Kryesorja është fakti që nuk luajtëm në shtëpi. Bëmë goxha investim falë një biznesmeni dibran që e do sportin. Pasi u mbyll kapitulli i stadiumit, erdhën edhe shumë gjëra të tjera.

Kur nuk je në shtëpi të vënë këmbën të gjithë ekipet. Ne nuk kishim asnjë aleancë, i kishim të gjithë kundër dhe ashtu duhet në faktin që loja të jetë e drejtë. Ishte edhe gjykimi që e kemi kontestuar shpesh, por kemi pasur dhe gabime te vetja.”

Për logjikën e shkarkimit të trajnerit ndërkohë që nuk jepen rrogat

“Lojtarët kanë 3 muaj pa paguar, por nuk mund të ankohet trajneri gjatë gjithë kohës për lekët e lojtarëve. Të gjithë kanë kontrata profesioniste që duhen respektuar deri në fund.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"