Shkalla në delir: Jam i lumtur për golin vendimtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2015 | 17:04

Shkalla në delir: Jam i lumtur për golin vendimtar

teutaaaaSilvester Shkalla nuk i ka fshehur aspak emocionet e tij për golin e shënuar në Kamzë. Falë tij, skuadra arriti të kalonte në avantazh, duke marrë një rezultat që i hap rrugë kualifikimit për në turin e ardhshëm të Kupës së Shqipërisë. Qendërmbrojtësi kamzali, që luan për Teutën, beson te vazhdimësia e skuadrës së tij dhe këtë e thotë edhe për gazetën.

“Jam shumë i lumtur për golin e shënuar, por mbi të gjitha për fitoren që morëm. Hodhëm një hap më tej për kualifikimin. Ia dedikoj këtë gol trajnerit dhe tifozëve, pasi falë besimit të Maganit unë arrita të shënoja. Morëm atë që kërkonim, ndonëse duhet të ishim treguar më të saktë para porte”, tha fillimisht i riu i talentuar.

Më tej, ai foli edhe për ndeshjen e ardhshme me Laçin, kundërshtar që e vlerëson. Ai beson se Teuta nuk i druhet askujt dhe këtë e ka dëshmuar çdo javë. “Tani le të mendojmë për kampionatin. Këtë fundjavë ndeshemi me Laçin, ndaj le ta harrojmë fitoren me Kamzën. Kemi një ekip që rivalizon çdo kundërshtar dhe nuk u trembemi aspak emrave të ‘mëdhenj’ dhe këtë e kemi dëshmuar në fushë. Laçin e vlerësojmë maksimalisht dhe e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Por ne edhe në këtë 90- minutësh do të futemi për të bërë lojën tonë. Jemi në një gjendje realisht të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë fakt, por pa kaluar në eufori”, u shpreh qendërmbrojtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"