Shiu prish planet, por Jonuz fiton 2 titullarë para Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 18:54

Shiu prish planet, por Jonuz fiton 2 titullarë para Luftëtarit

Vllaznia vijon përgatitjet për takimin e radhës që do të luajë të shtunën në Gjirokastër ndaj Luftëtarit. Në fazën e parë shkodranët nuk kanë shkuar më shumë se barazimi, ndërsa tashmë kërkojnë që të dalin me tri pikë nga transferta me bluzinjtë, duke u shkëputur ndjeshëm nga fundi i renditjes. 

vllaznia

Trajneri Mirsad Jonuz, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka pasur jo pak shqetësime për sa u përket lojtarëve që do të ketë të gatshëm për këtë sfidë. Megjithatë, në dy seancat e fundit stërvitore, duket se gjërat kanë ndryshuar për mirë. Dy nga tre lojtarët e dëmtuar mësohet se do të jenë të gatshëm për përballjen e së shtunës.

Mesfushori Ardit Krymi dhe mbrojtësi i krahut, Filip Gligorov, janë riaftësuar plotësisht, duke u bashkuar me grupin. Ata po stërviten me kapacitet të plotë dhe gjasat janë që ta nisin nga minuta e parë të shtunën.

Rikthimi i dy lojtarëve ka qetësuar disi teknikun Jonuz, që përveç brazilianit Hygor i cili mungon prej kohësh, pritet të mos ketë në dispozicion as Emersonin. Ky i fundit ende nuk është bashkuar me grupin në stërvitje pas dëmtimit që pësoi dhe me shumë mundësi nuk do të jetë në Gjirokastër. Trajneri po mundohet të ndërtojë një formacion që do të dijë të godasë kundërshtarin me anë të kundërsulmeve.

TRANSFERTAT – Pavarësisht situatës momentale në të cilën gjendet në tabelën e klasifikimit, Vllaznia ka siguruar rezultate pozitive në përballjet në transfertë, duke treguar se luan shumë më mirë jashtë fushës së saj sesa në shtëpi.

vllaznia tifozet

Deri më tani shkodranët janë mundur vetëm në Laç me shifrat 3-0, ndërsa në ndeshjet e tjera skuadra ka arritur që të sigurojë 9 nga 17 pikë të mundshme. Kuqeblutë kanë arritur dy fitore ndaj Kukësit dhe Flamurtarit me shirat 1-2 dhe 1- 3, si dhe tri barazime ndaj Bylisit, Teutës e Tiranës, ndeshje këto të përfunduara në barazim 0-0.

Të shtunën skuadra shkodrane do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv, teksa këtë herë përballë ka një ekip si Luftëtari, që i ka jetike pikët dhe çdo gjë bëhet më e vështirë. Por, ajo që duket theksuar është se këto katër sezonet e fundit, Vllaznia nuk ka fituar asnjëherë në transfertë ndaj Luftëtarit.

STËRVITJA – Ndryshe nga dita e hënë, dje ekipi ka kryer një seancë që është shoqëruar nga shiu i vazhdueshëm. Kjo ka bërë që edhe terreni të jetë i rënduar, duke ua vështirësuar punën lojtarëve, por edhe ajo që ka kërkuar vetë Jonuz të aplikojë nga ana taktike. Trajneri e ka mbështetur punën kryesisht në aspektin e vendosjes taktike të skuadrës dhe të detyrave që duhet të kryejë gjithsecili prej lojtarëve.

Admir Uruçi – PANORAMASPROT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"