Shitje në paketë, Skënderbeu akord për Gavazajn dhe Alitin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2018 | 20:22

Shitje në paketë, Skënderbeu akord për Gavazajn dhe Alitin

Skënderbeu është në dilemë të madhe për të ardhmen, pasi një pjesë e mirë e titullarëve të sezonit të kaluar nuk janë të vendosur për të vijuar sërish aventurën në Korçë. E si të mos mjaftonte kjo, edhe transferimet në merkato po bëjnë punën e vet për dobësimin e ekipit. Dukshëm, te Skënderbeu kërkojnë të sigurojnë financa për të ardhmen dhe kjo vjen vetëm përmes shitjes së xhevahireve të ekipit.

gavazaj

Nga radhët e kampionëve, pas largimit të Xhejmsit dhe Sahitit, përveç Lilajt e Souesë, pritet që të largohen edhe futbollistë të tjerë dhe në krye të listës qëndrojnë Gavazaj, Aliti dhe Nimaga. Nëse për Nimagën ende nuk ka asgjë me rëndësi, duket se Gavazaj dhe Aliti do të largohen në paketë. Fakti që të bën të mendosh këtë është pikërisht oferta nga Ahmat Grozni dhe Hajduk Split, që janë në kërkim të shërbimeve të dy futbollistëve në një ofertë të vetme.

Skënderbeu, nga ana e tij, është i hapur që të japë dritën jeshile për këto transferime vetëm nëse plotësohen kërkesat financiare. Kampionët në fuqi janë të interesuar që të përfitojnë një shumë rreth 1 milion euro nga këta dy futbollistë dhe këto financa do të ishin me të vërtetë të domosdoshme për Skënderbeun që të përballonte shpenzimet e sezonin të ardhshëm. Tashmë pritet se çfarë të rejash do të vijnë nga këto pista, teksa merkatoja për ta do të qëndrojë e hapur.

Konferenca – Në ambientet e klubit, mbrojtësi i Skënderbeut, Fidan Aliti, ka dalë përpara mediave ku ka folur për situatën në ekip, planet dhe dëshirat e tij për të ardhmen si dhe pritshmëritë që të shkojë larg me skuadrën korçare, me gjithë vështirësitë momentale. “Situata te Skënderbeu besoj se nuk është edhe shumë e lehtë sepse për momentin ka shumë lojtarë të rinj, me trajner të ri.

E për pasojë, duhet kohë që të njihemi me njëri-tjetrin me mënyrën e punës për të funksionuar si duhet të gjithë. Është një gjë që kërkon pak kohë, por besoj se jemi në një rrugë të mirë dhe do të bëjmë mirë. Unë personalisht jam në kontratë me Skënderbeun për momentin dhe për sa kohë do të jem me këtë ekip do të jap gjithmonë maksimumin tim. I jam shumë mirënjohës Skënderbeut pasi kur kam qenë para një viti, më është hapur dera nga ky ekip dhe kam fituar shumë prej tij. Kam dhënë kontributin tim sa herë më është kërkuar, por edhe kam marrë shumë.

Sigurisht që dua të lëviz jashtë pasi është diçka që e duan të gjithë, por që jemi ende në bisedime dhe asgjë nuk është e vendosur. Janë disa klube që kanë pyetur për mua dhe janë interesuar, por nuk ka asgjë konkrete deri më tani. Unë preferoj që të shkoj në një ekip që të luaj, por sigurisht që edhe oferta të jetë e mirë për klubin. Kjo është pjesa e futbollit dhe të gjithë duan të jenë të kënaqur në një transferim. Me këtë grup që kemi dhe me premtimet që po bën klubi, jam i bindur se do të ecim shumë lart. Skënderbeu është i ndërtuar për të qenë në majë të renditjes”, ka deklaruar Aliti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"