Shitja e Vllaznisë/ Plasin akuzat në bashki, kryetarja Voltana Ademi: E turpshme çfarë dëgjojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 23:51

Shitja e Vllaznisë/ Plasin akuzat në bashki, kryetarja Voltana Ademi: E turpshme çfarë dëgjojmë…

Projektvendimi për shitjen e klubit Vllaznia është shndërruar në një debat me tone të larta në Bashkinë e Shkodrës. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, kjo ishte pika e parë e rendit të ditës që duhet të diskutohej nga anëtarët. Mirëpo, me kërkesë të drejtueses së Këshillit Bashkiak, Briselda Kadija, dhe me mirëkuptimin edhe të këshilltarëve e kryebashkiakes Voltana Ademi, u shty për të qenë pika e fundit e rendit të ditës.

Keshilli bashkiak

Kjo u bë për shkak se nuk ka qenë i pranishëm administratori i ri i klubit, Benjamin Naku, i cili vetëm pak ditë më parë e ka marrë këtë post. Pikërisht për t’i dhënë atij mundësinë për të qenë i pranishëm në këtë mbledhje, diskutimi kaloi si pikë e fundit. Sapo nisi të flitej për Vllazninë, e para që ka pyetur në këtë interpelancë kryebashkiaken Ademi, ka qenë këshilltarja Jona Leqejza. Ajo ka përshëndetur nismën e drejtuesve të bashkisë, po ashtu edhe anketën për sa i përket dhënies së mendimeve nga opinioni publik për shitjen e klubit.

“Si shoqëri tregtare është shumë e mirë që ne të kërkojmë llogari për klubin. Ne si Këshill Bashkiak nuk paracaktojmë kush e blen Vllazninë. Privatizimi është një ankand publik, ku për ne është me interes që të marrin pjesë sa më shumë emra dhe biznesmenë. Nuk mund të paragjykohet shitja e Vllaznisë.

Voltana Adeli Shkoder

Ne thjesht bëjmë procedurën e privatizimit. Çfarë ka ndryshuar nga data 29 maj deri më 28 korrik 2020, ditë kur edhe ne kemi qenë asambleja e klubit për sa i përket pikave që është përfolur…?”, ka thënë ndër të tjera Leqejza, duke e ngritur këtë si pyetje, në një kohë që Këshilli Bashkiak ka  paditur bashkinë në gjykatë për emërime të paligjshme në këshillin mbikëqyrës të klubit, pikërisht sa u përket pesë anëtarëve.

AKUZAT NGA KËSHILLTARËT

Këshilltari bashkiak, Arbis Vjerdha, ka qenë i ashpër në atë që ka deklaruar ndaj ishadministratorit Suad Lici dhe atij të sapoemëruar, Benjamin Naku. “Problemi te Vllaznia është se ku kanë shkuar lekët e taksapaguesve… Kush mban përgjegjësi për këtë? Nga klubi është larguar një hajdut si Lici, që duhet të shkojë në prokurori… Kjo markë e qytetit kujt do t’i shitet!? Administratori i ri është një person me diplomë false.

keshilli bashkiak shkoder

Për mua ikën një hajdut dhe vjen një tjetër. Vllaznia nuk kushton vetëm 500 milionë lekë të vjetër, por ka një borxh të akumuluar mbi një milion euro. Kush e merr përsipër këtë? Kjo Vllazni është nxjerrë në shitje sa 10 hyrje pallati…”, ka thënë ndër të tjera Vjerdha. Por, në krah të Licit ka dalë këshilltari Gjek Sokoli, i cili tha: “Vllaznia ka humbur shumë me largimin e Licit nga klubi.

Nuk jam dakord me ato që tha Arbisi. Ai ka dhënë gjithçka për Vllazninë…”. Ndërsa këshilltari tjetër bashkiak, Andi Halluni, ka kërkuar arsyet pse administratori i ri nuk erdhi në mbledhje, edhe pse u prit disa orë për të. Nga ana tjetër, këshilltari Lush Marku ka kërkuar që kryebashkiakja të kërkojë falje për situatën te Vllaznia. Sipas tij, është momenti që Ademi ta bëjë këtë publikisht.

REAGIMI I KRYEBASHKIAKES

Pasi folën për disa minuta anëtarët e këshillit, më pas fjalën e mori kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi. “Unë kam qenë me ‘COVID’ duke qëndruar në shtëpi dhe kam kërkuar që këtë diskutim ta bënim në kushte normale. Por, meqë Këshilli Bashkiak ka bërë një padi, atëherë mbyllet çdo diskutim këtu. Këtë çështje do ta diskutojnë tashmë institucionet kompetente dhe ashtu sikurse pretendohet në aktin e padisë, do të ndahen gjërat, meqë janë të paqarta.

ademi-1

Gjykata do ta ndajë këtë punë. Megjithatë, është turp që ka nga kjo sallë dëgjojmë që njerëzve të ndershëm t’u thonë këto fjalë: ‘hajn’, ‘i përgojuar’, ‘vjedh’ etj. Nëse dikush nga ju pretendon, duke filluar nga unë si kryetare, se kemi vjedhur, atëherë të marrë guximin dhe të shkojë në prokurori. Ta thotë me gojën plot, por ama të ketë fakte. Jemi persona publikë dhe të gjithë të përgjegjshëm. Vetë ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka çmuar nga Kuvendi strukturën administrative dhe të menaxhimit financiar të klubit Vllaznia nga Bashkia Shkodër. Ishte hera e parë që unë e telefonova zotin Ahmetaj dhe e falënderova me gojën plot.

Jemi i vetmi klub në të gjithë Shqipërinë, përkundër akuzave që na bëhen me fjalët që përmenda më lart, që respektojmë çdo gjë në aspektin e ligjit. Në historinë e privatizimit nuk ka ndryshuar asgjë, por vetëm një komunikim që ne kemi pasur me agjencinë për mbështetjen e vetëqeverisjes vendore në Tiranë.

Ky konsultim është bërë në nivel teknik, duke konfirmuar procedurën e privatizimit”, ka thënë Ademi, ndërsa pas këtyre fjalëve ka ndërhyrë në debat këshilltari Arbis Vjerdha, duket replikuar ashpër me kryebashkiaken. Mirëpo, në këtë moment kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Briselda Kadija, ka urdhëruar mbylljen e mbledhjes dhe sugjerimin që këtë diskutim ta bëjnë në një ditë tjetër. Kësisoj, Vllaznia me sa duket është përherë ajo që sjell debat në Këshillin Bashkiak.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"