“Shiriti vlerësim, duhet kujdes maksimal gjatë garës”, Sabien Lilaj flet si kapiten: Kjo Dinamo më bind!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2022 | 10:00

“Shiriti vlerësim, duhet kujdes maksimal gjatë garës”, Sabien Lilaj flet si kapiten: Kjo Dinamo më bind!

Dinamo është plotësisht gati për startin. Pas merkatos së fuqishme dhe përgatitjeve verore, blutë synojnë të tregojnë që në fillim ambiciet e tyre. Sabien Lilaj, i mësuar me trofe dhe nivelin elitar, tashmë do të udhëheqë “nëndetësen” si kapiten. Korçari, në një intervistë për “Panorama Sport”, thekson se shiriti është një motivim i madh për të. Ai shprehet se skuadra ka kualitetin për të siguruar ngjitjen, por sërish bën apel për vlerësim maksimal të çdo ndeshjeje.

lilaj

Sabien, pse vendosët të vazhdonit me Dinamon?

Sepse kisha kontratë me Dinamon, por nuk është vetëm kjo. Kur drejtuesit më shprehën besimin e tyre, u ndjeva i vlerësuar. Aq më tepër që vinim edhe nga ai sezon që nuk ka nevojë për shumë koment. Pastaj është edhe trajneri Nevil Dede, me të cilin kam njohje të hershme, që te Tirana, kur unë fillova të luaj.

Shumë ndryshime në skuadër në raport me sezonin e kaluar, largime dhe afrime. Si ju duket kjo Dinamo e re?

Po, është diçka normale. Vetë Kategoria e Parë i imponon ndryshimet, sepse një klub nuk mund të mbajë lojtarë me kontrata të larta. Kur ndodh një situatë si kjo e Dinamos, është e kuptueshme që lojtarët me më shumë eksperiencë të marrin përgjegjësitë. Janë afruar shumë lojtarë të rinj ama, të cilët kanë kualitet. Jemi në rrugën e duhur.

Stafi ju ka besuar shiritin e kapitenit, çfarë do të thotë kjo?

Ndihem shumë mirë, është një vlerësim. Shiriti më bën që të motivohem edhe më shumë. Po ashtu, është edhe përgjegjësi më e madhe, sepse nuk mbaj përgjegjësi vetëm për veten time, por edhe për të tjerët.

Kategoria e Parë është një terren i panjohur. Si e parashikoni kampionatin që nis me ndeshjen me Orikumin për ju?

Është vërtet terren i panjohur, ndaj kam filluar të marr më shumë informacion. Do të krijojmë një opinion më të saktë pasi të luajmë me çdo skuadër, por ndoshta pak problem mund të jenë terrenet. Mendimi im është se duhet pasur shumë kujdes dhe vlerësim maksimal. Jo ta marrim lehtë dhe pastaj të themi: “Qenka e vështirë”.

Në këtë garë rigjeni Skënderbeun dhe shumë klube të tjera me emër…

Rivaliteti do të jetë me skuadrat me emër të Kategorisë së Parë, si Skënderbeu, Flamurtari, Besa e të tjera. Me këta kundërshtarë pak a shumë do të konkurrojmë për objektivin e sezonit. Ende nuk i njohim mirë dhe çdo gjë do ta tregojë më qartë fusha.

Sa ju bind skuadra për kthimin në elitë?

E thashë edhe më lart se jemi në rrugën e duhur. Skuadra është e kompletuar dhe e përgatitur për çdo sfidë. Kualitetin e kemi dhe tani mbetet që ta tregojmë në fushë, duke nisur nga Oriku. Mund të them se gjatë ndeshjeve miqësore, skuadra më ka bindur me nivelin që ka treguar, por nuk duhet të mendojmë se e kemi të sigurt objektivin. Duhet ta meritojmë me atë që do të japim në fushë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"