Shiriti bëhet legjendë, ja kush pritet të jetë kapiteni i ri i Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2021 | 10:22

Shiriti bëhet legjendë, ja kush pritet të jetë kapiteni i ri i Skënderbeut

Shirit shtegtues te Skënderbeu. Korçarët janë në kërkim të kapitenit të ri për sezonin e ardhshëm dhe duket se me shumë gjasa shiriti do të pushojë në krahun e Vangjel Zguros, i cili për momentin ndodhet jashtë ekipit për arsye dëmtimi.

VANGJEL ZGURO

Edhe pse në dukje është diçka që për shumëkënd nuk ka rëndësi, pjesa e kapitenit në anën sportive është e rëndësishme pasi në një farë mënyre ai është rregullatori mes stafit dhe ekipit apo zëri i trajnerit në fushë. I mbetur për dy sezone në krahun e Jorgo Meksit, lojtar që e justifikoi besimin e dhënë nga klubi dhe që u bë pararojë e ekipit edhe në momente të vështira, duket se këtë sezon do të ndryshojë destinacion.

Jorgo Meksi

Vonesa e Meksit në bashkimin me ekipin si pasojë e problemeve në shtetin grek për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak duket se ka sjellë pështjellim të situatës. Veç masave administrative që janë marrë ndaj lojtarit, duket se klubi ka vendosur që shiriti i kapitenit nuk do të jetë më në krahun e Jorgo Meksit, por do të gjejë tjetër destinacion.

Një gjë të tillë e konfirmon fakti se në të gjitha ndeshjet miqësore që Skënderbeu ka luajtur këtë fazë përgatitore, shiriti ka shtegtuar sa në krahun e Marës aq edhe në të Rexhepit. Madje, në ndeshjen e fundit, edhe pse Meksi ishte titullar, Rexhepi ishte graduar kapiten nga ana e bardhekuqve.

Skenderbeu

Megjithëse në kampin korçar mundohen ta minimizojnë një situatë të tillë duke thënë se nuk është me rëndësi se kush do të jetë kapiteni i ardhshëm pasi ai është thjesht një shirit, çështja nuk është kaq e thjeshtë. Klubi dukshëm është i mendimit që shiriti këtë sezon të mbahet nga Zguro.

Mbrojtësi pogradecar i Skënderbeut, edhe pse ka shumë pak kohë në ekipin e Skënderbeut, ka treguar karakter dhe forcë organizative. Në këto kushte duket se drejtuesit korçarë janë të vendosur që gjithçka do të zgjidhet në këtë mënyrë. Zguro ka treguar se sezonin e kaluar ka qenë pararojë e korçarëve duke dalë shpesh në mbrojtje të ekipit në momentet e vështira.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"