Shima: Kundër Holandës prisni tjetër skuadër, por nuk duhet të ëndërrojmë me sy hapur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2017 | 19:40

Shima: Kundër Holandës prisni tjetër skuadër, por nuk duhet të ëndërrojmë me sy hapur

Përpos hapit fals në ndeshjen hapëse në Tiranë të paraeliminatoreve të kampionatit botëror 2019-të me Austrinë, kapiteni i kombëtares shqiptare në basketboll për të rritur, Gerti Shima, mban të karikuar ekipin për transfertën e së mërkurës në Holandë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, pak përpara nisjes, Shima beson për një paraqitje shumë të mirë se sa ajo e 2 gushtit.

shima bushati hysenagolli

“Duke patur parasysh paraqitjen në ndeshjen e parë, parashikoj një takim edhe më të vështirë ndaj një kundërshtari më të fortë se Austria. Plus kësaj, luajmë edhe në transfertë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të rrisim diçka në lojën tonë, e të mos përsëritim atë paraqitje që bëmë këtu. Nuk mund të them që sh4presojmë në fitore, sepse nëse do të shohim përbërjet e skuadrave respektive në letra, kjo do të thotë që shanset janë të pakta për të marrë një rezultat pozitiv.

Por sporti është sport dhe ndonjëherë nuk i dihet se çfarë ndodh. Duhet me patjetër që të përfitojmë sa të mundemi nga këto dy ndeshje që kemi në transfertë, nga Hollanda shkojmë direkt në Austri. Kombëtarja është pa shumë eksperiencë. Përveç dy lojtarëve që kanë qenë pothuajse të përhershëm në përfaqësuese, si unë dhe Hysenagolli, edhe Franko Bushatit që ka qenë me shkëputje, për pjesën tjetër ky është debutim.

Ndaj lind nevoja për të përfituar sa më tepër përvojë. Mungesa e përvojës na ka sjellë në këto rezultate, duke nisur nga ndeshjet miqësore dhe ndeshja e parë zyrtare me Austrinë. Duhet të rritemi shumë, të ndryshojmë mentalitetin”, tha fillimisht shtatlarti kuqezi.

INFERIORË

Për Shimën, diferencat i bëjnë përbërjet. “Nuk është se ndihemi më tepër nga ç’duhet inferior. Ky është një realitet që duhet ta pranojmë dhe nuk mund t’i shmangemi dot e të mos shohim ëndrra me sy hapur.”

NIVELI

Shima e vë theksin te niveli i kampionatit shqiptar. “Jo vetëm niveli i kampionatit shqiptar ka shumë mungesa, nuk ka prurje të reja. Edhe ata që janë grumbulluar nuk kanë përvojën e mjaftueshme. Shumica e lojtarëve vendas të grumbulluar me kombëtaren, e startojnë nga stoli. Pa dashur të ul vlerat e lojtarëve, por duhet ta pranojmë që mungesa e përvojës të çon në këto ecuri rezultatesh.”

MORALI

Me gjithë humbjen me Austrinë dhe faktorin fushë që favorizon Holandën, Shima pranon që skuadra është me moralin e lartë. “Nga ana statistikore, pavarësisht të gjithave, ne jemi ende në luftë për të kapur vendin e dytë, por sot (dje) ne do të bëjmë përgatitjet e fundit dhe shpresoj që ekipi t’u përgjigjet detyrave që na ka dhënë trajneri.

Nuk po them se do të bëjmë mrekulli. Por në rastin e parë që ne nuk do t’i zbatojmë ato detyra, atëherë loja ka për të qenë edhe më e rëndë krahasuar me Austrinë.” Në fund, Shima i jep të drejtë zhgënjimit të teknikut Antonis Konstantinides. “Asnjë detyrë në 40 minuta lojë, ndoshta vetëm 3-4 raste mund t’i jemi përgjigjur trajnerit”.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"