“Shikoj shumë ekipe në luftën për mbijetesë”, Hoxhaj: U ktheva duke e ditur riskun, Flamurtari do të shpëtojë nga rënia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 17:27

“Shikoj shumë ekipe në luftën për mbijetesë”, Hoxhaj: U ktheva duke e ditur riskun, Flamurtari do të shpëtojë nga rënia

Ardit Hoxhaj beson se situata te Flamurtari do të ndryshojë. Sulmuesi pohon se ka marrë risk të madh që erdhi në këtë moment të vështirë dhe do të ketë një barrë të rëndë, nëse ekipi do të zbresë nga kategoria, por beson te drejtuesit e klubit. 25-vjeçari nuk është bërë aspak pishman që është rikthyer në Vlorë.

Hoxhaj66

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ardit Hoxhaj thotë se as fati nuk ka qenë me Flamurtarin, por uron që të kthehet situata duke nisur nga ndeshja në Laç.

 Ardit, si po përgatitet Flamurtari para ndeshjes me Laçin?

Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë sfidë, pasi e dimë se na pret një ndeshje e vështirë. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë mirë në këtë ndeshje.

Keni bindur me lojë si ekip, por s’po gjeni fitoren. Çfarë nuk shkon? 

Është e vërtetë që kemi bërë ndeshje të mira. Angazhimi ka qenë maksimal, i stafit drejtues edhe djemve të ekipit, por nuk kemi marrë pikët maksimale.

Ndoshta ka ndikuar pak edhe presioni, pasi jemi në një gjendje jo të mirë në renditje. Kemi humbur qetësinë në momente të veçanta gjatë ndeshjes dhe kur na janë shfaqur rastet për të shënuar gol, nuk kemi qenë të qetë. Ia kemi vënë edhe pak fajin fatit. Herë thonë që fati ta merr një pikë edhe herë ta jep. Shpresoj tani të na kthehet në favor dhe të na i japë, se realisht na duhen pikët.

 Keni marrë garanci për zgjidhjen e situatës? 

Unë personalisht kam qenë këtu edhe në një moment kur ekipi ka pasur situatë të mirë dhe kemi kaluar super. Jam edhe në këtë moment jo të mirë. Duke njohur drejtuesit e ekipit, kam besim se situata do të rregullohet dhe Flamurtari do të kthehet atje ku i takon.

Nëse gjërat zgjidhen në janar dhe Flamurtari shpëton nga rënia, kë shikoni të rrezikuar për mbijetesë?

Mendoj se janë shumë ekipe rivale. Shikoj shumë ekipe që rrezikojnë për të rënë nga kategoria. Nuk mund të përmend emra.

Si ndiheni si vlonjat kur e shikoni ekipin në këtë situatë? 

Realisht ndihem shumë keq si vlonjat kur e shikoj ekipin në këtë situatë. Është një barrë e rëndë për mua, nëse ekipi do të bjerë nga kategoria. Erdha tek ekipi në një moment shumë të vështirë dhe është një risk i madh ky.

E kam marrë këtë risk duke njohur drejtuesit, njerëzit të cilët drejtojnë Flamurtarin dhe kam besim të madh tek ata se do ta rregullojnë situatën dhe do të dalim faqebardhë në fund të sezonit.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"