Shijakasve i’u kthehet Kadriu, Kapllani do triumfin ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2023 | 12:35

Shijakasve i’u kthehet Kadriu, Kapllani do triumfin ndaj Kukësit

Florijan Kadriu është një rikthim “big” tek Erzeni në prag të ndeshjes së sotme që do të luajë kundër Kukësit në orën 17:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

XHEVAHIR KAPLLANI

Tetovari, edhe pse ka shënuar vetëm një gol e asistuar tri në 23 ndeshje, ka qenë ndër lojtarët kyç të ekipit shijakas këtë sezon, duke bërë mjaft mirë lojtarin ofensiv dhe difensiv në të dy krahët e fushës. Pas një lëndimi disa javor, ai duket se është i gatshëm të rikthehet ndaj Kukësit në një kohë ku Erzenit i duhen medoemos legjionarët.

Pak minuta i mori dhe Leao ndeshjen e fundit, i cili më parë vuante një lëndim në shpatull duke mos qenë i gatshëm për disa ndeshje. Pritet akoma më shumë kohë për rikthimin e treshes së famshme të qendrës Krasniqi, Sadiki, Enk së bashku me Asanin dhe Dukën, të cilët me shumë gjasa do të jenë të gatshëm ndaj Tiranës me 1 prill pas pushimit nga ndeshjet e kombëtareve. Ndërkohë, zëvendëstrajneri Alfred Deliallisi u shpreh se e vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin e radhës, duke qenë që së fundmi gëzon një formë të mirë sportive, por nuk e konsideron të pakalueshëm. Stërvitjet janë zhvilluar me intensitet mjaft të lartë nga grupi i lojtarëve që janë të gatshëm dhe pritet që rezultati i kërkuar të jetë fitorja, duke hyrë në fushë për tri pikët para tifozërisë së zjarrtë shijakase, që po organizohen të shumtë dhe në këtë takim.

RONALD FAJA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"