Shijakasit me dy mungesa, tifozët gati për shou. Kapllani: Besoj te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2023 | 12:22

Shijakasit me dy mungesa, tifozët gati për shou. Kapllani: Besoj te fitorja

Pas jehonës së madhe që bëri organizimi i tifozërisë shijakase në ndeshjen ndaj Tiranës, një tjetër organizim masiv pritet të jetë për ndeshjen e sotme, ajo ndaj Vllaznisë, që zhvillohet në orën 19:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

erzeni

“Njoftojmë se biletat në sektorin ballor ku qëndrojnë tifozët tanë do të jenë falas. Gjithashtu në dispozicion do të ketë sërisht autobusë falas pa limit drejt qytetit të Durrësit. Ju ftojmë të jemi sa më të shumtë për të përkrahur djemtë tanë”, citohej dje në faqen zyrtare të klubit shijakas në “Facebook”.

SITUATA – Skuadra, nën drejtimin e Xhevahir Kapllanit, ka zhvilluar përgatitjet e fundit dhe çdo individ i stafit duket optimist. Kujtojmë këtu që në dy ndeshjet e para Erzeni ka marrë një fitore 1-0 në fazën e parë ndaj Vllaznisë dhe një barazim spektakolar 2-2 në fazën e dytë.

Mungesë e rëndësishme është ajo e qendërmbrojtësit Nehar Sadiki dhe sulmuesit të krahut, Florijan Kadriu, të cilët nuk e kanë kaluar dëmtimin. Edhe kapiteni Gëzim Krasniqi nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme. Deri në ditën e fundit të merkatos, klubi do të kërkojë të “peshkojë” ndonjë lojtar tjetër nga merkatoja.

TRAJNERI – Xhevahir Kapllani është optimist për ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë, teksa në një bisedë për “Panorama Sport”, theksoi se ka besim absolut te kthesa e skuadrës.

“Humbja ndaj Tiranës është lënë pas dhe e gjithë vëmendja është përqendruar te ndeshja e ditës së sotme ndaj Vllaznisë. Atmosfera është mjaft e mirë dhe kjo më bën optimist se ndeshja e sotme ndaj shkodranëve do të kalohet me sukses”, ka thënë fillimisht Kapllani, i cili më pas foli edhe për mungesat e Sadikit dhe Kadriut.

“Çdo mungesë në formacion është e rëndësishme, por unë kam besim te të gjithë futbollistët që do të jenë në vend të tyre. E rëndësishme është që skuadra është në formën e saj të mirë dhe kjo më bën të shpresoj te marrja e tri pikëve”, përfundoi trajneri.

R.FAJA / N.GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"