Shijakasit kërkojnë rikthimin te fitorja, Erzeni sfidon Egnatian me 4-ish lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 10:45

Shijakasit kërkojnë rikthimin te fitorja, Erzeni sfidon Egnatian me 4-ish lojtarë

Erzeni vijon me stërvitjet intensive në kuadër të ndeshjes me Egnatian, që do të luhet nesër në orën 15:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Erzeni

Për shijakasit ka zbritur më në fund në terrenin stërvitor edhe mbrojtësi i majtë, Ardit Peposhi, i cili ishte i dëmtuar që në sfidën ndaj Laçit, duke humbur kështu ndeshjen e Kupës ndaj Turbinës, por edhe ndeshjen ndaj Bylisit në kampionat.

Rikthimi i tij do të ishte mjaft i vyer pas disfatës në Ballsh, duke rritur kualitetin në prapavijë. Klubi shpreson që lojtari në fjalë të riaftësohet për këtë ndeshje dhe përgatitësi atletik po tregon kujdes të veçantë.

Si ish në këtë sfidë do të jenë plot 4 lojtarë nga Erzeni. Bëhet fjalë për Gëzim Krasniqin, i cili dy vitet e fundit ka qenë pjesë e Egnatias, duke e ngjitur në Superiore dhe shmangur rënien më pas, Ademi që ishte vendimtar në repartin ofensiv edicionin e vjetshëm, Klevis Hasanbelli në portë, por edhe Nehar Sadiki, i cili paraprakisht kishte firmosur këtë vit me Egnatian, por akoma pa nisur stërvitjen mirë me Rrogozhinasit u bë pjesë e shijakasve.

Ndërsa nga ana tjetër, Jurgen Goxha i afruar këtë vit tek Egnatia ka qenë për një kohë të gjatë më parë tek Erzeni, atje ku u rrit si futbollist.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"