“Shijakasit janë thuajse të ngjitur, por Besa nuk ka shpëtuar ende”, Bubeqi: Erzeni favorit, por tentojmë surprizën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2022 | 12:20

“Shijakasit janë thuajse të ngjitur, por Besa nuk ka shpëtuar ende”, Bubeqi: Erzeni favorit, por tentojmë surprizën

Dorjan Bubeqi rigjen Erzenin, ndonëse nuk është e para herë për këtë sezon. Deri një vit më parë i drejtonte pikërisht ai, por të shtunën kthehet në “Tofik Jashari” si trajner i Besës. E njeh mirë kundërshtarin dhe hapur e pranon që janë ata favoritët, por kjo nuk e pengon që të kërkojë surprizën. Me këtë qëllim do të udhëtojnë kavajasit në Shijak, për të tentuar marrjen e një rezultati pozitiv dhe larguar njëherë e mirë rrezikut. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së verdhezinjve thotë:

Bubeqi Besa

“E kam drejtuar Erzenin dhe e njoh shumë mirë atmosferën që mbretëron në Shijak. Janë tashmë, sipas meje, pjesë e Superiores sezonin e ardhshëm dhe natyrisht që me një fitore ndaj nesh edhe teorikisht e bëjnë fakt.

Ndaj jam i bindur se Erzeni është favorit në këtë përballje nisur nga përbërja, nevoja për pikët, entuziazmi”.

LLOGARITË

Pasi i ka bërë këtë rezyme kundërshtarit, trajneri ndalet te domosdoshmëria që ka për pikë skuadra e tij. Gabimet e bëra në të shkuarën i “qan” ende, por shpreson që të mos përsëriten më dhe shpëtojnë njëherë e mirë sezonin. “Ne kemi gabuar shumë këtë vit, madje edhe javën e shkuar ndaj Butrintit.

E kemi vënë veten në siklet. Na duhen pikë që t’u ikim ndoshta ndeshjeve ‘play out’.

Për këto arsye, Besa nuk ka çfarë të humbë. Ne do udhëtojmë drejt Shijakut, ku do të tentojmë të bëjmë lojën tonë dhe, pse jo, një barazim do na bënte shumë punë.

Jam i ndërgjegjshëm se do ta kemi shumë të vështirë për të gjitha arsyet që citova më lart, por në momentin ku jemi dhe ndërkohë që na presin dy transferta, këtë javë në Shijak e pastaj në Lezë, nuk kemi çfarë të humbasim. Do të luajmë të qetë në Shijak, duke pritur e vlerësuar shanset tona.

Në një ndeshje futbolli, asnjëherë nuk thuhet ‘jo’, ndaj psikologjikisht po punojmë me grupin që të paktën në 3 sfidat e mbetura të jemi pragmatistë.

Të shfrytëzojmë në maksimum çdo rast shënimi, jo si sfidat paraardhëse. Uroj të kemi dhe fatin me vete”, përfundoi Bubeqi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"