“Shihni tabelën dhe do ta kuptoni”, Laçi kundërshton të ketë marrë premio nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2020 | 19:00

“Shihni tabelën dhe do ta kuptoni”, Laçi kundërshton të ketë marrë premio nga Tirana

Klubi i Laçit hedh poshtë aludimet dhe lajmet se kanë marrë premio nga Tirana për të mundur rivalët për titull të bardhebluve, Kukësin.
laci-kukesi
Në një reagim zyrtar të klubit kurbinas, bëhet me dije se lojtarët dhe stafi teknik nuk kanë marrë asnjë shumë monetare për të mundur verilindorët. Në komunikatën për shtyp shtohet gjithashtu se “duke parë renditjen” (Skënderbeu, Teuta dhe Partizani kërkojnë pjesëmarrjen në Europë) “kuptohet se nuk ishte e nevojshme që kurbinasit të stimuloheshin financiarisht për të mundur Kukësin, pasi ende nuk kanë realizuar objektivin e tyre”.

Laçi fitoi me rezultatin 2-0 ndaj Kukësit. duke i dhënë mundësinë Tiranës të thellojë distancën me verilindorët në 9 pikë.

Reagimi i Laçit:

Reagim i detyruar, mbi lajmet që qarkullojnë për një premio dhënë Klub Futboll Laçit, me qëllim ndalimin e Kukësit. Në ndeshjen e djeshme janë shumë më të shumta arsyet pse Laçi duhet të fitonte. Së pari për të lartësuar emrin e qytetit që përfaqësojmë, së dyti për tifozët tanë, së treti për investimet e bëra dhe realizimin e objektivit sezonal. Sigurisht, trajneri dhe stafi i tij, ashtu sikurse edhe futbollistët, kanë egon e tyre dhe duan të fitojnë në çdo ndeshje. Mjafton t’i hedhësh një vështrim tabelës së renditjes dhe kushdo e kupton se Laçi nuk kishte nevojë për asnjë arsye të jashtme për ta mundur Kukësin. Ekipi ynë dha maksimumin dhe bëri atë që ka për detyrë çdo ndeshje. Asnjë qindarkë nuk ka ardhur në drejtim të klubit tonë, sikurse pretendohet. Ndaj, në respekt të garës, të kampionatit, të djersës së lojtarëve dhe stafit, si dhe të punës së bërë nga çdo faktor në KF Laçi, mediat dhe kushdo do të ishte mirë të mos aludonte me lajme të tilla.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"