Shifrat kundër shkodranëve/ Vllaznia në krizë, ka 9 pikë më pak se kampionati i kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2021 | 11:04

Shifrat kundër shkodranëve/ Vllaznia në krizë, ka 9 pikë më pak se kampionati i kaluar

Vllaznia e këtij sezoni po flitet se është më e mirë se ajo e një viti më parë. Specialistët dhe vetë stafi drejtues e vënë theksin në këtë drejtim, por shifrat tregojnë të kundërtën. Vllaznia e një sezoni më parë në 8 takimet e fazës së parë kishte grumbulluar 19 pikë dhe ishte e vetme në krye të renditjes, ndërsa këtë sezon kjo skuadër ka arritur që të grumbullojë vetëm 10 pikë.

VLLAZNIA

Nëntë pikë më pak se një sezon më parë tregojnë se Vllaznia e këtij sezoni nuk është më e fortë se ajo e një sezoni më parë. Vllaznia e këtij kampionati ka arritur që të marrë vetëm 2 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje. Ndërsa ajo e një sezoni më parë ka realizuar në 8 përballjet një shifër prej 6 fitoresh, 1 barazim dhe një humbje.

Ajo ka dominuar për më tepër me lojë ndaj çdo kundërshtari, duke lënë që të besohet deri në fund tek arritja e titullit kampion në fund të sezonit. Ajo që shikohet është se Vllaznia e këtij sezoni nuk ka arritur që të fitojë më shumë se dy takime dhe këto i ka fituar me goleadë. Ndërsa ka humbur dy sfida me të njëjtin rezultat 0-2.

Barazimet në këtë sezon me shifrat 1-1 kanë dominuar në këto takime të luajtura. Ndërsa vetëm në një takim nuk ka shënuar në këto 8 përballje. Në 8 takimet e para të sezonit të shkuar Vllaznia ka barazuar vetëm në një sfidë dhe atë pa gola, ndërsa vetëm dy skuadra e kanë ndëshkuar në 8 sfidat.

vllaznia

GOLAVARAZHI – Vllaznia e këtij sezoni mban një rekord për Superioren shqiptare për golat e pësuar. Ajo ka pësuar 13 gola në 8 javë, gjë që ka sjellë ndoshta edhe ato probleme që skuadra po kalon tani. Me përjashtim të përballjes ndaj Skënderbeut, e mbyllur me shifrat 0-0, skuadra shkodrane nuk ka mbyllur asnjë sfidë tjetër pa pësuar gol.

Kjo është pikërisht pika më e dobët e kësaj skuadre. Një sezon më parë në tetë takimet e para kuqeblutë kanë pësuar vetëm 6 gola. Vllaznia e këtij sezoni mban një rekord të golave të pësuar, teksa një sezon më parë skuadra pësoi vetëm 6 gola në tetë takime dhe u ndëshkua pikërisht katër herë nga Kukësi dhe dy herë nga Tirana, të dyja përballje të zhvilluara në Shkodër.

Por, në 6 takime portieri Zogoviç dhe mbrojtja kuqeblu e mbajti të paprekur portën e vet. Sulmi i Vllaznisë në këtë sezon po quhet një nga më të frikshmit e Superiores. 5 golat e shënuar ndaj Laçit dhe 6 ndaj Dinamos në Shkodër krijojnë bindjen se ky është një fakt.

Por, skuadra ka arritur që të shënojë vetëm nga një gol ndaj Teutës, Partizanit e Egnatias. Një sezon më parë Vllaznia ka arritur që të shënojë po kaq herë sa këtë sezon. Por një sezon më parë Vllaznia i kishte të ndarë golat në disa takime e kësaj here këto nuk kanë një ndarje të tillë.

Ndryshe nga çfarë flitet Vllaznia e një sezoni më parë nisur nga të gjitha statistikat qëndron më lart se ajo e këtij sezoni.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"