Shifrat kundër Partizanit / Metamorfoza e ekipit të kuq, faza e dytë është… “pikiatë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 8:31

Shifrat kundër Partizanit / Metamorfoza e ekipit të kuq, faza e dytë është… “pikiatë”

Partizani po përjeton periudhën më të vështirë të këtij sezoni. Të kuqtë regjistrojnë dy humbje dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit në kampionat, një ecuri, që i humbi vendin e parë, madje i shkëputi edhe me 4 pikë nga Tirana kryesuese. Gjithsesi, zbritja e Partizanit nuk nisi me këto ndeshje të fundit, por është reflektuar në gjithë këtë fazë të dytë, që u përmbyll me humbjen e dhimbshme me shifra 0-2 ndaj Teutës të enjten në stadiumin e kuq.

PARTIZANI 2

PIKËT – “Nuk do të ishte aspak keq t’i mbyllnim të katërta fazat me nga 19 pikë”, shprehej trajneri Kolela kur pyetej nga gazeta në lidhje me këtë. Por skuadra e tij është plot 9 pikë minus në këtë fazë të dytë, krahasuar me 9 ndeshjet e para.

Nëse në fazën e parë grumbullonin 19 pikë, në këtë të dytën kanë marrë vetëm 11 pikë, duke u renditur në vendin e dytë me 30 të tilla. Të kuqtë arritën gjashtë fitore në fazën e parë, kundrejt vetëm 3 në të dytën, teksa humbjet dhe barazimet janë dyfishuar.

I vetmi moment i artë i të kuqve në këtë fazë ishte triumfi në derbi ndaj Tiranës, por ky moment pozitiv nuk u shfrytëzua, pasi u pasua nga ecuria negative në tri ndeshjet e fundit.

GOLAT – Janë një aspekt shumë alarmues në lidhje me ecurinë e skuadrës së drejtuar nga Xhovani Kolela. Më saktë defensiva është në alarm të madh, pasi ka pësuar plot 21 gola, duke u renditur si mbrojtja e dytë më e dobët e kampionatit. Plot 14 prej këtyre golave janë pësuar në fazën që sapo u mbyll, duke ngritur një alarm në defensivë. Edhe sulmi nuk ka qenë i njëjti, pasi ka shënuar dy gola më pak se faza e parë.

DYSHJA – Pa Bitrin Partizani pëson dy gola dhe pa Skukën ka thuajse zero forcë goditëse. Ky ishte konkluzioni që tregoi ndeshja ndaj Teutës, që ishte e para pa dy lojtarët kryesorë të ekipit. Ndaj Egnatias të hënën, “demat” do të kenë një mision shumë të vështirë për të kthyer moralin me një fitore, që është më shumë se detyrë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"