Shifrat e dhjetë sezoneve të fundit/ Vetëm Zoti mund ta kthejë Tiranën nga rruga e titullit, askush nuk ka përmbysur 9 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2020 | 13:39

Shifrat e dhjetë sezoneve të fundit/ Vetëm Zoti mund ta kthejë Tiranën nga rruga e titullit, askush nuk ka përmbysur 9 pikë

Vetëm Zoti mund ta kthejë Tiranën nga rruga e titullit kampion, sepse e kaluara dhe fati as nuk bëhet fjalë që të jenë kundër bardhebluve. Në 10 kampionatet e fundit, asnjë skuadër e vendit të parë me nëntë pikë diferencë nuk ka mundur që të përmbyset nga ekipi i vendit të dytë.

tiranaa

Sezonin e shkuar, Partizani në javën e 26-të kishte 54 pikë, ndërsa Kukësi në vendin e dytë me 45 pikë. Në fund kampionati u mbyll me 70 pikë për të kuqtë dhe 59 për kuksianët. Në sezonin 2017-2018, Skënderbeu në javën e 26-të kishte 57 pikë, ndërsa Kukësi 48, pra nëntë pikë avantazh.

Në fund, korçarët ia dolën të shpalleshin kampion me 69 pikë kundrejt 63 të Kukësit. Në sezonin 2016- 2017, balanca ka qenë fantastike, me tri skuadra që ishin me 52 pikë dhe në fund ia doli që të fitonte Kukësi. Edhe në sezonin 2015-2016, diferenca mes Skënderbeut dhe Partizanit që ishte gjashtë pikë në javën e 26-të, zbriti vetëm në pesë në fund të sezonit me korçarët e shpallur kampionë.

E njëjta histori në sezonin 2014-2015, me Skënderbeun që në 10 javët e fundit mbajti distancën me Kukësin e vendit të dytë dhe në fund u shpall kampion. Edhe në sezonin 2013-2014, Skënderbeu që kishte një avantazh prej 9 pikësh nga Laçi i vendit të dytë, 10 javë para fundit fitoi titullin kampion me katër pikë më shumë se Kukësi që doli në podium.

Në sezonin 2012-2013, Skënderbeu doli kampion pa problem, duke administruar nëntë pikët që kishte avantazh 10 javë nga fundi i kampionatit, ndaj Teutës dhe Kukësit. Në sezonin 2011-2012, Tirana ishte një pikë më shumë nga Skënderbeu, dhjetë javë nga fundi, ndërsa titullin e fituan në mbarim të kampionatit korçarët me një pikë më shumë se Teuta.

Përmbysja e vetme e madhe, nëse mund të quhet kështu, është ajo e Skënderbeut në dëm të Flamurtarit. Vlonjatët në sezonin 2010-2011, dhjetë javë para fundit ishin katër pikë përpara dhe në fund të kampionatit morën titullin, duke parakaluar kuqezinjtë me katër pikë. E duke parë statistikat, gjithçka është në krah të Tiranës. Vetëm një përmbysje apokaliptike mund të bëjë që Tirana ta humbasë titullin kampion.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"