Shifrat, Bejl shkëlqen te Reali pa Ronaldon. Uellsiani shënon dy herë më shumë kur mungon portugezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2018 | 17:42

Shifrat, Bejl shkëlqen te Reali pa Ronaldon. Uellsiani shënon dy herë më shumë kur mungon portugezi

Pa Kristiano Ronaldon, nuk është më një sekret tashmë që projekti i Realit po ndërtohet rreth Garet Bejlit, vetëm në rast se Florentino Perez nuk do të bëjë një çmenduri deri në ditën e fundit të merkatos. Preferencat e para të presidentit, Nejmar dhe Mbape, nuk janë të disponueshëm, duke ia veshur spaletat e liderit uellsianit. Dhe Bejl e ka treguar se ai luan shumë herë më mirë dhe ndihet më komod kur nuk ka Kristianon përreth.

garet bejl

Në fakt nuk ka pasur shumë ndeshje në “Bernabeu”, në të cilat ata nuk kanë luajtur së bashku. Por, në 27 ndeshjet që ish-talenti i Totenhemit ishte në fushë pa portugezin, 21 prej tyre (ose 78%) kanë rezultuar me fitoren e skuadrës. Kjo nuk është aspak një shifër për t’u injoruar, sepse tregon se heroi i finales së Kievit është më shumë se i aftë për të marrë rolin e liderit në mungesë të CR7. Sigurisht që kjo shifër impresionuese fitoresh vjen si rezultat i sprovës së skuadrës në tërësi, por ndikimi i Bejlit në këto 27 ndeshje ishte shumë i rëndësishëm dhe këtë e konfirmojnë statistikat.

Ai ka shënuar 22 gola në këto takime, një mesatare 0.81 gola për ndeshje, e cila është gati dyfishi i mesatares së tij në Madrid, 0.46 gola për ndeshje. Pas finales së Champions-it kundër Liverpulit (ai hyri nga stoli dhe shënoi dopietë), 29-vjeçari kërcënoi se do të largohej nëse nuk i ofroheshin më shumë minuta. “Duhet të luaj javë pas jave dhe kjo nuk ka ndodhur këtë sezon. Kam pasur një dëmtim ku mungova 5-6 javë, por prej atëherë kam qenë i gatshëm. Do të ulem me menaxherin gjatë verës për të folur”, tha ai pas ndeshjes.

Por, prej largimit të Ronaldos gjërat kanë ndryshuar dhe menaxheri i tij, Xhonatan Barnet, e anuloi takimin që kishte lënë me klubin për të diskutuar të ardhmen. Këto ditë në stërvitje, trajneri Lopetegui është parë t’i qëndrojë shumë pranë dhe flasë vetëm për vetëm me të. Ronaldo e linte në hije dhe ky është një fakt tashmë dhe në Madrid shpresojnë që ai të shkëlqejë sërish si në kohët e Totenhemit, ku u shpall lojtari më i mirë i Premier Ligës në sezonet 2010-11 dhe 2012-13.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"