SHIFRAT/ Askush s’ka shënuar më shumë se francezi, Benzema “mbreti” i vitit 2021

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 22:09

SHIFRAT/ Askush s’ka shënuar më shumë se francezi, Benzema “mbreti” i vitit 2021

Karim Benzema ka hyrë në listën e më të mëdhenjve në kampionatin spanjoll. Me dy golat e shënuar të mërkurën në mbrëmje kundër Majorkës, francezi ka arritur kuotën e 200 rrjetave në elitën e futbollit spanjoll.

benzema

Vetëm Kristiano Ronaldo (312), Raul Gonzalez (228) dhe Alfredo di Stefano (216) kanë shënuar më shumë sesa Benzema në kampionatin spanjoll me fanellën e Realit. Pas arritjes së kësaj shifre, duke folur për televizionin e klubit “Real Madrid TV”, sulmuesi francez ka thënë se ndihet krenar.

“Ky klub është e gjithë jeta ime dhe jam krenar për golat. Jam i bindur se do të vijnë edhe shumë gola të tjerë. Këtu po luaj futbollin tim që më argëton, të lëviz në fushë, të ndihmoj shokët e ekipit dhe të shënoj sa më shumë gola. Një gol i preferuar? Le të themi të parin me asistencën e Van Nistelroit këtu në ‘Bernabeu’ (kundër Herez Deportivo). Këtë rekord ia kushtoj familjes, fëmijëve të mi, tifozëve të Realit dhe të gjithë njerëzve që më duan”, tha 33-vjeçari.

MBRETI I VITIT 2021 – Me dy golat dhe dy asistet në suksesin e fundit 6-1, Benzema u ngjit në kuotën e 8 golave dhe 7 asisteve këtë sezon. Kjo do të thotë se ai ka marrë pjesë në 68% të golave të Realit në sezonin 2021-‘22 dhe është përfshirë direkt në 15 nga 21 golat që ata kanë shënuar. Shifrat e Benzemasë mund të krahasohen vetëm me ato të Robert Levandovskit, i cili ka shënuar 15 herë, dhe Erling Halandit: 11 gola dhe 4 asiste në 8 ndeshje. Numri 9 i “Galaktikëve” ka qenë i jashtëzakonshëm në vitin 2021, ndërsa është përfshirë në 34 gola të Realit, duke shënuar 23 dhe asistuar 11.

Edhe Robert Levandovski ka 34 përfshirje gjithashtu (31 gola, 3 asiste). Dyshja ndiqet nga Lionel Mesi (23 gola dhe 8 asiste) dhe Haland (24 gola, 7 asiste), të cilët kanë kontribuar në 31 gola secili. Mbape renditet i katërti me 16 gola dhe 9 asiste (25 përfshirje), po aq sa Romelu Lukaku, i cili ka shënuar 16 herë dhe prodhuar 9 pasime për gol. Benzema e ka gjetur rrugën e rrjetës 287 herë me Realin në total dhe është shumë pranë arritjes së legjendës Karlos Santijana, i cili shënoi 290 gola në karrierën 17- vjeçare me klubin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"