Shifër rekord për zero tituj/ Ja sa milion paund janë shpenzuar te Junajtid që prej ikjes së Ferguson

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 17:29

Shifër rekord për zero tituj/ Ja sa milion paund janë shpenzuar te Junajtid që prej ikjes së Ferguson

Mançester Junajtid ka shpenzuar mbi 1 miliard paund në merkato që prej tërheqjes së Sër Aleks Fergusonit në vitin 2013 dhe nuk e ka fituar më Premier Ligën prej sezonit të fundit të skocezit në “Old Trafford”. Transferimet e verës së fundit të Doni van de Bekut, Amad Dialosë, Aleks Tejesit dhe Fakundo Pelistrit, që në total kushtuan 75 milionë paund, kaluan shifrën e 1 miliard paundëve të shpenzuar.

Ferguson titulli

Në këto shtatë vite të epokës pas-Ferguson, Mançester Junajtid ka ndërruar 3 trajnerë (Solskjaer është i katërti), të cilët kanë transferuar në total 37 futbollistë dhe rezultati është vetëm tre trofe të fituar (Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Ligën e Europës), por asnjë titull kampion: komshinjtë e Mançester Sitit kanë shpenzuar 1.2 miliardë paund për të njëjtën periudhë, por “Qytetarët” janë shpallur tri herë kampionë, përveçse kanë fituar dy herë edhe Kupën FA dhe 5 Kupa Lige.

Pasardhësi i Sër Aleks, Dejvid Mojes, qëndroi vetëm 8 muaj në stolin e “Old Trafford” përpara se të shkarkohej dhe transferoi vetëm Felainin dhe Matën. Van Gal, i cili qëndroi për dy vite, transferoi Di Marian, Shoun, Herrerën, Rohon, Blindin, Falkaon, Valdezin, Marsialin, Shnaiderlinin, Depajin, Darmianin, Shvajnshtaigerin dhe Romeron.

Pasardhësi i tij Murinjo solli Pogbanë, Mkhitarianin, Beilin, Ibrahimoviçin, Lukakun, Matiçin, Lindelofin, Sançezin, Fredin, Dalotin dhe Grentin. Ndërkohë që Solskjaer, i cili e zëvendësoi portugezin në dhjetor 2018, ka transferuar deri tani Meguajërin, Bisakën, Xhejmsin, Fernandeshin, Ighalon, Van de Bekun, Tejesin, Pejistrin, Kavanin dhe Dialonë, i cili do të vijë në Mançester në janar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"