Shfryn trajneri i AF Luftëtarit: FSHF të ndërhyjë, arbitrat na kanë masakruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 14:42

Shfryn trajneri i AF Luftëtarit: FSHF të ndërhyjë, arbitrat na kanë masakruar

E nisën me pretendime të mëdha sezonin, por ecuria dëshmoi të kundërtën. AF Luftëtari e mbylli vitin në vendin e 7-të, duke qenë shumë larg pritshmërive. Petraq Meçi i pranon luhatjet, por mendon se edhe gjykimi i ka dëmtuar shumë. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon me detaje ndeshjet ku janë masakruar.

Petraq Meci

“Edhe ne kemi përgjegjësitë tona për ecurinë e deritanishme. Kemi pasur luhatje në lojën dhe kemi ‘falur’ pikë. Por, kur gjykimi ta ‘nxin’ ndeshjen, çfarë mund të bëjnë të rinjtë dhe pa eksperiencë në këtë kategori?! Heshtin para bilbilave vërshëllyes në fushë.

Në javën e parë me Përmetin, ishte minuta e 25-të kur qendërmbrojtësi Matushi merr të kuq. Një javë më pas në Këlcyrë, prekje e topit me dorë brenda zonës së vogël dhe asgjë. Në javën e katërt, në Librazhd, goli i dytë i vendësve ishte 3 metra pozicion jashtë loje, gjë që e ka pranuar stafi vendës.

Penallti inekzistente për Naftëtarin në ndeshjen e javës së 7-të. ‘Qershia mbi tortë’ për dhunuesit e AF Luftëtarit ishte gjykimi i fundit në Tepelenë, i vlonjatit Hermal Llapra.

Tendencioz dhe dashakeqës. Si ka mundësi? Pse na kryqëzojnë? Këtë gjë s’mund ta them se nuk jam profet… Por nëse do kishim gjykim korrekt, si dhe do të bënim më pak gabime në lojën tonë, pavarësisht emrit të kundërshtarit, në fund të fazës së parë do të gjendeshim në të tjera pozita në klasifikim”, përfundoi trajneri i bluzinjve.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"