“Shfryn” Noka: Humbja në Peshkopi u diktua nga arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 23:10

“Shfryn” Noka: Humbja në Peshkopi u diktua nga arbitrat

Humbja 2-1 në Peshkopi nuk është përtypur lehtë nga Besëlidhja. Lezhjanët e kanë kontestuar ashpër fitoren e Korabit, ndërsa pretendojnë se kanë fakte që është e diktuar prej gjykimit skandaloz të kryesorit Çopa. Është vetë presidenti Gjok Noka që hedh akuza për arbritrat në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ku nuk ngurron që të numërojë edhe rastet ku janë ndëshkuar.

gjok noka

“Humbja në Peshkopi ndaj Korabit nuk na erdhi si rezultat i lojës së skuadrës, por u diktua nga arbitrat. Gjykimi në atë takim ishte skandaloz. Gjithçka nisi pak para shkaktimit të penalltisë, kur kapiteni Dibra iu drejtua anësorit duke i kërkuar edhe falje për kornen e padrejtë të dhënë, por në këtë moment i bie topi në dorë. Kjo solli 11-metërshin dhe karton të verdhë për Dibrën. Na janë mohuar tri penallti të pastra, dy prej së cilave ndaj Hoxhës, i cili pasi kishte depërtuar thellë brenda zonës dibrane pengohet me faull, por gjyqtari nuk reagoi fare. Më skandaloz ka qenë rasti kur Hoxha futet brenda zonës dhe topi i gjuajtur prej tij pritet me dorë nga një futbollist vendës, e gjyqtari e sposton në goditje standarde në vijën e zonës së rreptësisë. Në këtë episod u ndëshkua me të verdhë Oumar Kamara prej protestës ndaj gjyqtarit. Për dëshmi kemi pamjet filmike.

Lind pyetja: Si ka mundësi që po asaj  treshe gjyqtarësh që është dënuar për gjykim skandaloz në favor të Korabit në ndeshjen e luajtur kundër Ilirisë, i jepet të arbitrojë të njëjtën skuadër në shtëpinë e saj përballë Besëlidhjes? A nuk është një precedent që duhet ndëshkuar? Për ne kjo treshe gjyqtarësh është shpallur ‘non-grata’ në Lezhë,pasi po na penalizojnë me pa të drejtë, duke na çuar dëm financat që shpenzojmë me një të rënë të bilbilit. Ata për ne nuk janë gjyqtarë, por hajdutë që meritojnë ndëshkim të rëndë. Po ndikojnë hapur në rezultatet e ndeshjeve dhe jo vetëm në tonat”, kështu e mbylli deklaratën e tij për gazetën presidenti Noka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"