Shfryn kapiteni Bonuçi: Mjaft me fyerje, disa janë mosmirënjohës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 20:30


Shfryn kapiteni Bonuçi: Mjaft me fyerje, disa janë mosmirënjohës

Sa u përket vërshëllimave ndaj Donarumës, Leonardo Bonuçi është treguar shumë i ashpër dje në konferencën për shtyp. “Të vërshëllesh një lojtar kur vesh fanellën e kombëtares tënde, këtë mund ta bëjnë vetëm personat që nuk kanë tru… Mund të kesh pakënaqësi pa fund ndaj një lojtari, por kur ai vesh fanellën e kombëtares tënde, atëherë ti po vërshëllen edhe veten tënde, sepse ai të përfaqëson edhe ty.

Bonuci

Duhet një progres kulturor në këtë pikë dhe gjithsesi unë shpresoj shumë që në ‘San Siro’ tifozët të na mbështesin që ta fitojmë këtë ndeshje”, u shpreh kapiteni i Italisë. Ai është ndier i lënduar për fyerjet që ka marrë në rrjetet sociale dhe ka folur më pas edhe për gjendjen e vështirë që po kalon Juventusi.

“Fyerjet janë pjesë e pashmangshme kur gjërat shkojnë keq, por kur ekzagjerohet kaq shumë, atëherë mendoj se ka shumë njerëz në këtë botë që nuk e njohin mirënjohjen ose e kanë kujtesën të dobët. Unë gjithsesi nuk merakosem shumë për këtë pjesë sepse qëllimi im në jetë është që, pasi zgjohem çdo mëngjes, ta shoh veten në pasqyrë dhe të mos kem asnjë peng. I them gjithnjë vetes sime “bëj më të mirën në çdo ndeshje, pavarësisht nëse ke veshur fanellën e Juves apo të kombëtares”. Kjo është parësore për mua.

Kam 12 vite në kombëtare dhe gjithnjë kam luajtur ose kam vepruar ashtu siç më është dukur mua më mirë duke dhënë gjithçka në fushë. Anglia? Mendoj se janë një kundërshtar shumë i fortë, por nuk ka moment më të mirë se ky për të nisur diçka të madhe nga e para. Janë pikërisht ndeshje si kjo, të cilat nëse i fiton, të japin një shtysë të madhe që të arrish suksese në të ardhmen”, deklaroi ndër të tjera Bonuçi.

PANORAMASPORT.AL