Shfryn Daja: Alla e ka personale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2016 | 9:47

Shfryn Daja: Alla e ka personale

Ilir Daja shfaqet i zh gënjyer pas eliminimit, e megjithatë ai ia faturon gjithçkaje momentit “jo”.

Daja 3Gjatë intervistës së dhënë për mediat, trajneri mohon që të tijtë mund ta kenë marrë lehtë këtë duel, ndonëse dënon kartonët amatoreskë të lojtarëve të tij të marra në mesfushë.

Tekniku gjithashtu ndalet gjatë edhe te gjykimi, teksa shigjeton Laver Allën. Daja përmend dy raste të tjera që është penalizuar nga ky arbitër, ndërsa del në konkluzionin se Alla e ka personale me të.

Eliminoheni nga Kupa, të befasuar nga kjo humbje?

Erdhi në një moment që nuk duhej. Mendoj se s’ishte dita jonë, sepse rastet e pastra nuk na munguan. Hugo duhej të tregohej disi më altruist dhe të pasonte për Kërçikun ose Likën. Nuk luajtëm në mbrojtje, edhe pse kishim fituar në ndeshjen e parë, ndërsa qëndruam përpara edhe kur barazuam, sepse donim të gjenim edhe golin e sigurisë.

Mos ndoshta lojtarët e morën pak lehtë Flamurtarin?

Jo, aspak. Pavarësisht humbjes, kemi treguar karakter, madje dhamë maksimumin deri në sekondat e fundit, paçka se mbetëm me 9 lojtarë në fushë. Flamurtari nuk e vodhi këtë sukses. Ne bëmë disa gabime në mbrojtje. Bëmë disa lëvizje të detyruara në këtë repart për shkak të mungesave. Do t’i shoh me vëmendje përmes pamjeve filmike.

Meqenëse prekët kartonët, mos ishin të tepërt?

Nuk mund të ndëshkohemi për disa aksione në mesfushë, të cilat janë totalisht të parrezikshme.

Nuk duhet të sillemi si amatorë. Ishit nervoz në korridor, pse?

Nuk do doja të merresha me gjykimin, por është një histori e përsëritur, sepse edhe sot (dje) ishte i njëjti gjyqtar, i cili, përpara disa viteve kur gjykoja Besën, na ka arbitruar në mënyrë skandaloze ndaj një skuadre që nuk dua ta përmend. Pas asaj sfide, skuadra ime u dënua me 6 ndeshje pa tifozë. Pas disa muajsh përsëriti të njëjtin gjykim në Berat ndaj Tomorit, ku për më tepër ajo ndeshje as nuk transmetohej në televizion. Edhe sot (dje) në pankinë po mundohesha të mos reagoja, sepse e dija se mund të përfundoja jashtë. Pasi me këtë gjyqtar nuk e kam përfunduar asnjë ndeshje të plotë në stol, ndaj doja ta shmangia të paktën sot (dje).

Po thoni se e ka personale me ju?

Përderisa është një histori e përsëritur, mendoj se e ka personale. Por boll me kaq sepse po ia rris shumë vlerat, duke e përmendur gjatë.

Do jetë e lehtë që të mblidhni ekipin pas këtij eliminimi, kur dihet që në prag keni Skënderbeun?

Edhe pse natyra ime nuk pajtohet me humbjen, ua thashë djemve në dhomat e zhveshjes se duhet të ngrenë kokën lart dhe të mendojnë për takimin e radhës. Duke parë karakterin që kemi treguar, besoj se do bëjmë maksimumin në Korçë.

Sa shqetësuese janë mungesat?

Në fakt, kemi disa mungesa të rëndësishme, si Smajli i pezulluar dhe Muça i dëmtuar. Por do të mundohemi që të përshtatemi me alternativat që kemi.

Përgatiti: ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"