Shevçenko: Ky Milan më ekzalton, Interi i hekurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2018 | 20:26

Shevçenko: Ky Milan më ekzalton, Interi i hekurt

Në radhë të parë, jeta e të tjerëve. “Ajo që ndodhi në Gjenovë është një tragjedi. Gjatë kolapsit shumë persona mbetën të vdekur, do i kujtojmë përgjithmonë”. Andrij Shevçenko dëshiron që Ukraina e tij t’i qëndrojë pranë skuadrës së Mançinit në përkujtimin e viktimave të parashikuar përpara sfidës kundër kombëtares “axurre” dhe ka dashur të flasë edhe për këtë temë gjatë intervistës me “La Gazzetta dello Sport”.

“Është një kërkesë e imja: një mënyrë për të dëshmuar afrimitetin me popullin italian që është treguar gjithmonë miqësore me ukrainasit”. Dhe Sheva, Italinë e ka të shkruar në fat. “Transferta ime e parë ka qenë në Romë dhe Agropoli, pranë Napolit. U zhvillua një turne moshash, ku unë u shpalla kryegolashënues”.

shevcenko

Kryegolashënues edhe në vitin e parë te Milani, diçka aspak e lehtë.

Vërtet, në Itali kam kujtimet më të bukura. Atje jam takuar me bashkëshorten time, ka lindur djali im i parë Xhordan… E festova pikërisht në Gjenovë, me një gol kundër Sampdorias. Kisha kaluar natën në Milano në spital përkrah Kristenit (gruas), u riktheva gjysmë i përgjumur… Kur u ngjita në autobusin që do i drejtohej “Marassi”-t të gjithë po më prisnin duke qeshur: isha me vonesë, shumë i lodhur, por edhe me energji të reja. Kujtoj edhe sfidat kundër Italisë, atë të Botërorit të 2006-ës për shembull.

Sapo ishit larguar nga kuqezinjtë, përshëndetët tribunën e tifozëve me një përulje.

Po. Dhe u ritakuam herë të tjera në kualifikuese. Kanë qenë gjithmonë sfida të bukura. Italia është një vend i madh për futbollin.

Për këtë si trajner keni zgjedhur një staf me shumë italianë, me Mauro Tasotin si zëvendës dhe Andrea Malderan si asistent taktik?

Tasoti më ka dhënë shumë, kemi një raport të veçantë që në kohët e Milanit: person korrekt, inteligjent e i përgatitur. Ndërsa, Andrea është një djalë profesional. Me ata në staf ndihem më i qetë.

Lojtar i suksesshëm, tani trajner. Hapi i radhës?

Liga e Kombeve. Me Italinë do kemi mundësi të matim progresin tonë, por ndeshja me Republikën Çeke është më e rëndësishmja, sepse mund të na garantojë kualifikimin. Në këtë moment mendoj të çoj Ukrainën në Europian, pasi mbeti jashtë Botërorit. Situata në vendin tim është ende e ndërlikuar: ekziston një konflikt, vështirësi ekonomike dhe këto kanë influencuar shumë në futboll. Ukrainasit te Shahtjori apo te Dinamo e Kievit e kanë të vështirë të imponohen sepse luajnë shumë të huaj dhe mbeten në stol, në disa raste jemi të detyruar të grumbullojmë lojtarë që nuk luajnë me klubet e tyre. Kemi elementë cilësorë si Jarmolenko, Konopljanka, Marlon, Malinovski: pak eksperiencë, por forca e grupit nuk mungon.

Ju po ndërtoni diçka, por edhe Mançini u detyrua të ringrinte ekipin pas dëshpërimit të eliminimit nga “play-off”-et e Botërorit: si e vlerësoni këtë Itali?

Një skuadër në progres. Mançini është një trajner ekspert, ka fituar shumë, e di se çfarë nevojitet. Futbolli italian po rikthehet: ka një kalim, një ndërrim gjenerate, por talenti nuk mungon. Dhe vlera e trajnerëve italianë njihet në gjithë botën: për shumë kohë kanë munguar paratë për të afruar “yje”, kështu që trajnerët kanë shpikur zgjidhje të reja, kanë kuruar akoma më shumë taktikën, kanë studiuar metodologji të reja stërvitore. Janë shembuj për t’u ndjekur.

Ndërkaq, megjithatë, Juvja po vret kampionatin: jeni dakord?

Me Ronaldon janë përforcuar akoma më shumë dhe tani mund të mendoj për të fituar gjithçka, por ka konkurrencë. Dhe jam entuziast që Milani më në fund po gjen drejtimin e duhur. Me Maldinin dhe Leonardon është rikthyer qetësia. Janë ende në ndërtim e sipër, u duhet punë, por shumë shpejt do rikthehen në maja. Gatuzo? Nuk ka vetëm karakter, ka treguar se është një trajner që i përcjell diçka skuadrës.

Ju pëlqen Kutrone?

Gjen gjithmonë golin: thelbësore për një sulmues. Për më shumë po punon me një kampion si Higuain, çka do e ndihmojë.

Duke qëndruar te golat, pas pauzës luhet derbi me një sfidë argjentinase mes Higuainit e Ikardit. Ju pëlqen ky Inter?

U nis keq, por rezultatet po vijnë. Spaleti është një trajner solid dhe Interi ka lojtarë cilësorë, jo vetëm Ikardin; që është kapiten e lider. Shoh që dy milanezet po rikthehen në rrugën e duhur.

Do duhet kohë për të gjetur një Shevçenko të ri. Ekziston ndonjë aktualisht?

Jo, nuk ka asnjëherë dy lojtarë njësoj. Dhe unë si kam qenë lojtar as nuk e kujtoj. Jam i përqendruar te roli i ri, dua të lë gjurmë tek Ukraina. Më pas, një ditë do më pëlqente të stërvitja një klub.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"