Sherri te shtanga, ja si dështoi asambleja zgjedhore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 23:29

Sherri te shtanga, ja si dështoi asambleja zgjedhore

Asambleja e zakon shme zgjedhore e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes e zhvilluar paraditen e së shtunës në hotel “Tirana International” u mbyll në një mënyrë vërtet të shëmtuar, mes kaosit dhe përplasjeve ndërmjet anëtarëve.

as

Komuniteti i shtangës dështoi dhe nuk arriti të mandatonte presidencën dhe bordin e ri drejtues, duke bërë që gjithçka të shtyhet për në datën 14 dhjetor, datë e caktuar për mbajtjen e asamblesë së jashtëzakonshme zgjedhore, teksa në rend dite do të futet edhe një votim për pranimin ose jo të kandidaturës për president të Elez Gjozës, si dhe të kandidaturave për anëtarë të këshillit drejtues për dy të përjashtuarit e tjerë, Asim Belinova dhe Kreshnik Leka.

KRONOLOGJIA

Ashtu sikurse pritej, atmosfera në asamblenë e shtunës ishte e tensionuar. Pas shumë përplasjesh në media, palët këtë herë do të ishin përballë fizikisht, ndërsa vetëm dy ditë para zgjedhjeve presidenti Theodhor Masllavica pati njoftuar dorëheqjen nga kandidimi për kreun e FSHP-së.


Kështu, në garë për president, zyrtarisht kishte mbetur vetëm Eglantina Çuni. Trajneres së skuadrës elbasanase “Dritan Kalemi” i nevojitej shumica e votave për t’u zgjedhur. Por, Elez Gjoza, ashtu sikurse kishte njoftuar, nuk e njeh përjashtimin e bërë nga komisioni i seleksionimit të kandidaturave dhe do të kërkonte që për kandididimin e tij të vendoste vetëm asambleja.

FUTJA NË SALLË

Përplasjet e para fillojnë disa minuta para nisjes së asamblesë, pasi në sallë lejohet prezenca vetëm e anëtarëve të mandatuar, e për rrjedhojë Elez Gjozës dhe disa prej mbështetësve të tij u ndalohet hyrja. Tepër i revoltuar, Gjoza debaton me sekretarin e FSHP-së, Edlir Mema, teksa akuzon se ky është një veprim i jashtëligjshëm. Kështu, në sallë futen vetëm personat e mandatuar nga klubet për të marrë pjesë në asamble.

DEBATE TË FORTA PËR PËRJASHTIMIN E GJOZËS

Që në fillim asambleja starton me debate të forta mes palëve. Mbështetësit e Elez Gjozës kërkojnë llogari për përjashtimin e kandidaturës së tij, ndërsa duan që asambleja të nisë me një votim për ta pranuar apo jo Gjozën në garë, e njëjta gjë edhe për kandidatët e KD-së, Belinova e Leka. Por kjo kërkesë e tyre nuk merret në konsideratë, pasi nuk bën pjesë në rend dite. Këtu fillon një kaos i vërtetë kur njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit.

Duket qartë që mbështetësit e Gjozës, me në krye trajnerët Hysen Cenaj, Faik Nebijaj dhe Artur Lagja nuk duan të lejojnë vijimin e asamblesë, pa u marrë në konsideratë kërkesa e tyre. Drejtuesit tentojnë zhvillimin, por është e pamundur në të tilla rrethana. E kjo kulmon në momentin kur merr fjalën kandidatja Eglantina Çuni, e cila nuk lejohet të flasë pasi në sallë krijohet një kakofoni e vërtetë dhe e qëllimshme nga një pjesë e anëtarëve. Në këto kushte, Hysen Cenaj, i cili ishte edhe kryetar i komisionit, njofton mbylljen e asamblesë dhe caktimin e datës 14 dhjetor për mbajtjen e asamblesë së jashtëzakonshme.

MINISTRIA E SPORTIT INJORON

Theksojmë që gjatë zhvillimit të asamblesë i pranishëm në sallë ishte Viron Bezhani, si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa ra në sy mungesa e përfaqësuesve nga Ministria e Sportit. Veprim që tregon qartë edhe një herë tjetër injorimin total që ky institucion vazhdon t’i bëjë sportit në vendin tonë.

KONFRONTIMI FIZIK

Me dështimin e asamblesë anëtarët fillojnë të largohen nga salla, ndërsa i ndodhur në ambientet jashtë sallës kur mëson lajmin se asambleja është shtyrë për në dhjetor, Elez Gjoza fillimisht nuk pajtohet me këtë vendim. Për rrjedhojë, sinjalizon mbështetësit e tij për t’u rikthyer në sallë, duke kërkuar që gjithçka të vendoset që atë ditë.

Kështu, mbështetësit e Gjozës bëjnë prapakthehu dhe kërkojnë që të futen sërish në sallë, ndërsa aty ka edhe një përplasje fizike mes tyre dhe forcave të sigurisë. Ndërkohë, gjatë këtyre momenteve vërehet re edhe një çast tensioni mes Viron Bezhanit dhe Elez Gjozës, teksa kreu i KOKSH-it e akuzon Gjozën si provokator.

LUSHNJA ME DY ANËTARË

Një rast për t’u veçuar ishte ai që ndodhi me përfaqësuesit e Lushnjës. Vetëm disa ditë para zgjedhjeve klubi lagunar vendosi t’ia heqë mandatin e anëtarit në asamble trajnerit Amarildo Gjyla, ndërsa këtë mandat e mori vetë kryetari i bashkisë, Fatos Tushe. Me sa duket, kryebashkiaku, i cili është edhe në rolin e presidentit, ka dashur ta “shkundë” me dorën e tij votën.

Një lëvizje që shikohet më shumë si një marrëveshje e fshehtë politike e përkthyer me votë në asamble, për faktin se i hiqet e drejta e votimit një njeriu të shtangës si Gjyla. Në asamble ishin të pranishëm të dy, si kryebashkiaku ashtu edhe trajneri.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"