Sherri në sfidën Tomori-Naftëtari, flet gazetari sportiv i Beratit: Kam qenë pas porte, gumëzhinte i gjithë qyteti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2020 | 21:17

Sherri në sfidën Tomori-Naftëtari, flet gazetari sportiv i Beratit: Kam qenë pas porte, gumëzhinte i gjithë qyteti

UVIL ZAJMI

Edi Spahiu, gazetar i njohur sportiv, prej vitesh në vijim të traditës beratase që krijoi e la pas Vlash Pambuku, i rikthehet ngjarjes duke treguar për “Panorama Sport”. 

Tomori45

Ai rrëfen se ishte pritës topash në atë takim dhe kujton shumë detaje nga tensioni i atij derbi: kartoni i kuq, revolta e Koçit ndaj arbitrit, shoqërimi me polici i lojtarëve etj. “Një qytet gumëzhinte nga thashethemet. Kujtoj ditët ku Koçi punonte si i dënuar në ndërtim, në një pallat afër dhomave të izolimit”, thotë Spahiu për gazetën.

Keni qenë pas porte në atë ndeshje, apo jo?

Ai takim u zhvillua në fushën e vjetër. Isha lojtar i ekipit të të rinjve të Tomorit dhe zakonisht na merrnin për të kapur topat gjatë ndeshjeve kur luante Tomori. Unë kam qenë pas portës jugore. E kam parë nga afër. Ishte pjesa e dytë, nga fundi i saj, kur arbitri i nxori Koçit kartonin e kuq.

Pse ndërhyu policia?

Sandrin e mori policia, e futën në ndërtesën njëkatëshe ku ishin dhomat e zhveshjes. Kujtoj edhe portierin Ismaili, që la portën dhe pati një grindje me policinë për të mbrojtur Sandrin. Pas takimit, kur lojtarët po dilnin nga stadiumi, duke qëndruar bashkë me tifozët, si zakonisht pas ndeshjeve, shohim Sandrin me Fatmirin me pranga në duar. I futën në një gaz policie dhe u larguan.

Një qytet i përfshirë nga kurioziteti, fjalët… ju si e përjetuat? 

Në qytet, në çdo familje beratase, klube dhe ndërmarrje gumëzhinte e diskutohej për atë ngjarje. Fakti që i kishin marrë në pranga, e shndërroi në një ngjarje “të jashtëzakonshme”. Nuk kishte ndodhur që të arrestoheshin dy futbollistë… Qarkullonin fjalë edhe se do t’i dënonin me burg.

Edi

Në Berat kishte momente që tifozëria ishte vërtet “agresive”. A kishte vështirësi për arbitrat?

Ndeshjet Tomori-Naftëtari kanë qenë thuajse gjithnjë tejet të ndezura, gati elektrizuese… Edhe arbitrat kanë pasur vështirësi. Kjo, edhe nga fushat pa standarde, jashtë kritereve e jo në kushte normale që të përballonin ndeshje me tension të lartë. Për tifozërinë ishin në dispozicion vetëm disa shkallë dhe një ndërtesë e vogël për dhoma zhveshjeje.

Ishin ndeshje ku përfshiheshin edhe partiakë, apo jo? 

Po, madje influenconin te lojtarët dhe klubet, pasi të gjithë vareshin nga i njëjti Komitet Ekzekutiv, ai i Beratit. Ndryshe me futbollistët që ishin miq me njëritjetrin dhe shpesh Tomori ka marrë nga Naftëtari, apo e kundërta. Edhe në atë takim, gjatë lojës e më pas nuk pati grindje lojtarësh, apo të ishin ata shkaku për pasojat dramatike që vijuan.

eDI SPAHIU BERAT

 Si e gjykoni, cili ishte shkaku i vërtetë?

Edhe sot, mendoj se ka mbetur enigmë pse u dënuan dhe cili ishte shkaku i vërtetë. Nuk u kuptua mirë se çfarë ishte ai proces gjyqësor. Nuk pati dëshirë dhe vullnet për ta mbyllur si në rastet e tjera, me qëllim që të shmangej dënimi penal. Një karton i kuq kurrsesi nuk mund të jetë arsye për t’u vënë pranga lojtarëve në fushë. Kemi parë mjaft raste, shumë më agresive, por fundi i ndeshjes i ka paqësuar të gjithë. Aq më shumë që ata u falën shpejt, luajtën disa vite më pas.

Sidoqoftë, pati dënim me burg…

Për Fatmirin, që u fol se kishte goditur një polic, i cili edhe sot jeton në Berat, u kushtëzua me punë të detyruar kolektive në fermë, ndërsa Sandrin gjyqi e dënoi me një muaj burg.

Në ndërtim për pallatin e policisë, çfarë ironie… 

Ishte një brigadë, ndoshta me 20 të burgosur, që të shoqëruar nga policia çdo ditë shkonin në këmbë te blloku me kulla që po ndërtohej për policinë, siç i thoshin asokohe. Ndodhej në lagjen “30-vjetori”, më e madhja e Beratit. Si para dhe pas procesit, bashkë me ta ishte edhe Sandri.

 E shihnit Sandrin duke punuar? 

Beratasit i kanë respektuar sportistët, po kështu dhe Sandrin. I vinin shokët, ai dilte në ballkon apo dritare, pasi ndërtesa ishte ende karabina dhe policët e lejonin, duke e toleruar që të komunikonte me ta.

Edi SpAHIU

Çfarë kujtoni tjetër nga ajo ngjarje? 

Ishte një njollë e zezë për futbollin me traditë dhe pasionant beratas. Ishte njollë edhe për historinë e dy klubeve. As koha nuk e shlyen, kur mendon që një ndeshje transformohet në gjyq dhe shkohet në hetuesinë famëkeqe. Imagjinoni, gjyqe, pranga, dhoma izolimi, dënime e burgime për futbollistë…! Dhe për çfarë? Për një ofendim, një kapje fanelle, një karton të kuq. Pa kuptim…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"