Sherri në Luftëtari-Këlcyra, flet djali i legjendës gjirokastrite: I kërkova falje Dukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2020 | 23:50

Sherri në Luftëtari-Këlcyra, flet djali i legjendës gjirokastrite: I kërkova falje Dukës

Shefqet Boni, protagonisti i sherrit verbal me Amer Dukën në miqësoren e ndërprerë në minutën e 24- t, tregohet i sinqertë në prononcimin e tij. Ai pranon ndërhyrjen e rëndë ndaj mbrojtësit durrsak të Luftëtarit. Boni, i biri i një prej “ikonave” të Luftëtarit, Astrit Bonit, i ndarë nga jeta më 25 gusht 2016, mbron për të dytin sezon radhazi ngjyrat e Këlcyrës që militon në Kategorinë e Dytë.

BONI LOGO

Ai është pa dyshim një nga pikat më të forta në ofensivën e këlcyrjotëve. Autori i 15 golave këtë sezon për ngjyrat e skuadrës këlcyrjote për “Panorama Sport” lidhur me episodin e minutës së 24-t u shpreh se i vjen keq për çfarë ndodhi. “Nuk mendova se i ndërhyra aq rëndë Dukës, por në lojë e sipër gjithçka ndodh. Më vonë e kuptova se ndërhyrja ishte e rëndë, që mund të kishte dhe pasoja dëmtimi për Dukën.

Pas debatit me fjalë, i kërkova falje Dukës, duke pranuar ndërhyrjen e rëndë ndaj tij. Nuk u mjaftova me faljen e përkohshme, por dhe pas ndërprerjes së ndeshjes. Pra, i kërkova dy herë të falur. Jo se doja t’i ndërhyrja, por futbolli i tillë është. Në momentet e lojës m’u kujtua im atë.

Ai (Çiçi kështu thirrej Astrit Boni në Gjirokastër dhe nga shokët e tij në Shqipëri), gjithmonë më thoshte: ‘Kur të luash kundër ekipit të Luftëtarit, trego veten tënde’. Sedra për të dhënë maksimumin nga vetja ishte dhe arsyeja e ndërhyrjes së rëndë ndaj Dukës, por asnjëherë e qëllimshme.

Fakti që u ndamë me përqafime dhe shtrëngime duarsh me kundërshtarin në fushë besoj se mjafton për të pranuar atë që ndodhi në nerva e sipër gjatë lojës”, tha fillimisht Shefqet Boni. Çeti (kështu e thërrasin shokët) nuk është i vetmi lojtar gjirokastrit që aktivizohet me ekipin e Këlcyrës, teksa pjesë e formacionit të drejtuar nga Robert Spahiu janë dhe portieri Anesti Buxaj, sulmuesit Eldar Bath , Nazmi Gaba dhe mbrojtësi Andi Hina.

“Bëra lojë të fortë, sepse luajta në shtëpi kundër ekipit tim, ku u linda dhe u rrita. Më erdhi mirë që pashë në fushë me ekipin e Luftëtarit Stiven Puçin. Njëherazi më vjen keq që të rinjtë e dalë nga Luftëtari nuk janë mbështetur nga drejtuesit e mëparshëm të klubit. Përpos të gjithave i uroj suksese Luftëtarit.

Jam produkt i Luftëtarit dhe për më shumë është skuadra e qytetit tim. Luftëtari është skuadra ku im atë bashkë me shokët e tij e ngjitën në podiumin e ekipeve me histori në futbollin shqiptar. Ne si ekip i Këlcyrës kemi për objektiv renditjen mes pesë skuadrave të para të grupit të Jugut”, përfundoi 24- vjeçari Boni.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"