Sherri mes “Le Parisien” dhe PSG, 636 milionë arsye që Mbape mos të braktisë Parisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2022 | 16:50

Sherri mes “Le Parisien” dhe PSG, 636 milionë arsye që Mbape mos të braktisë Parisin

Kilian Mbape dhe PSG-ja firmosën në maj kontratën më të shtrenjtë në historinë e sportit. “Le Parisien” zbulon tani detajet e rinovimit që bindën sulmuesin francez të mos transferohej te Reali i Madridit dhe gazeta ka llogaritur edhe se sa do të fitonte sulmuesi francez në rast se do të qëndronte në Paris deri në fund të marrëveshjes 3- vjeçare (në fakt është 2 vite me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër sezon).

MBAPE

Në total ajo do të arrinte shifrën e 636 milionë eurove. Por si ndahet në detaje një shifër e tillë monstruoze. Gazeta franceze ka arritur ta zbërthejë në detaje kontratën.

DETAJET – Rroga është 72 milionë euro bruto në sezon (216 milionë euro në 3 vite). Vetëm për firmën ka një bonus prej 180 milionë eurosh, i cili do të përfitohet nga futbollisti i ndarë në tri këste. Nuk mungon as bonusi i besnikërisë dhe bëhet fjalë për një shifër që rritet vit pas viti në mënyrë progresive dhe mbërrin në 240 milionë në rast se ai kompleton të tria vitet në “Parc des Princes” (70 milionë euro në rast se nuk largohet në verën e 2023, 80 milionë në rast se nuk ikën në qershor 2024 dhe 90 milionë nëse qëndron edhe në qershor 2025).

Janë shifra të çmendura, të papara më parë në sport, aq sa rinovimi i Mbapesë thyen të gjitha rekordet e vendosura nga shokët e tij të skuadrës: Lionel Mesi (555 milionë për 4 vite nga 2017 deri në 2021) dhe Nejmar (267 milionë për 6 vite, nga 2017 deri në 2023).

Janë shifra marramendëse që vështirë ndonjë klub tjetër t’i barazojë dhe kështu fjalët e 23-vjeçarit pak ditë më parë “Nuk lëviz nga Parisi”, tani kanë mbi 600 milionë motive më shumë për t’u konsideruar të sinqerta. Pas lajmit, PSG reagoi duke e përgënjeshtruar përmes një komunikate dhe nuk përjashtoi as marrjen e masave ligjore kundër gazetës.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"