Sherri masiv në kampionatin e boksit, të shtunën mblidhet federata për vendimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 18:58

Sherri masiv në kampionatin e boksit, të shtunën mblidhet federata për vendimet

Kampionati Kombëtar i Boksit, i zhvilluar disa ditë më parë në qytetin e Shkodrës, pati një mbyllje shumë të shëmtuar, duke u kthyer në një përleshje masive në parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.

Sherri masiv logo

Gjithçka nisi pas ndeshjes së peshës 75 kg mes Arjon Kajoshit të Vllaznisë dhe kampionit të Ballkanit, Alban Beqirit të Tiranës, duel që përfundoi me rezultatin 2-1 për Kajoshin. Një ndeshje shumë e bukur, mes dy prej boksierëve më të mirë të vendit, por që ishte zanafilla e sherrit. Trajneri i Tiranës, Sead Bushati, pretendoi se ndaj gjyqtarëve u ushtrua presion, duke i kushtëzuar ata që të jepnin atë rezultat. Kjo gjë bëri që Tirana të vendoste për tu larguar nga kampionati, pasi sipas bardhebluve në ato kushte nuk kishte më kuptim të vijohej gara. Ndërkohë gjatë largimit nga salla, Bushati pati fillimisht një përplasje verbale me një prej tifozëve, e cila u përshkallëzua në dhunë fizike, teksa trajneri i Tiranës u godit nga tifozët që pushtuan parketin, duke bërë që gjithçka të degradonte në një sherr masiv.

Pas disa minutave kaosi, me ndërhyrjen e policisë situata u qetësua, ndërsa gjyqtarët dhe federata vendosën për vijimin e ndeshjeve, të cilat u dhanë në tavolinë, pasi finalistët e Tiranës ishin larguar. Duke marrë shkas nga gjithë ky skandal, presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, një ditë pas aktivitetit njoftoi dorëheqjen, të cilën do t’ia paraqesë Këshillit Ekzekutiv të federatës, teksa mbledhja është caktuar për ditën e shtunë më 25 shtator. Aty gjithashtu do të analizohet me hollësi çdo detaj dhe pritet të merren masa për atë ngjarje të turpshme që nuk ka asnjë lidhje me sportin.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"