Sherri masiv në finalen e boksit, trajneri Bushati: Arbitrat ishin nën presion, u godita pabesisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 19:47

Sherri masiv në finalen e boksit, trajneri Bushati: Arbitrat ishin nën presion, u godita pabesisht

Sead Bushati, trajneri i Tiranës dhe Kombëtares, 10 herë kampion i Shqipërisë si boksier dhe aktualisht pedagog në Universitetin e Sporteve jep versionin e tij për atë që ndodhi në pallatin e sportit në Shkodër. “Në momentin që po jepej vendimi i arbitrave për peshën 75 kilogramë nuk kishte rëndësi se kush do të ishte fituesi, por gjyqtarëve iu bë presion dhe iu dha fitorja sportistit të Vllaznisë.


Në atë presion që bëhej tek arbitri ishte e pakuptimtë që aktiviteti të vazhdonte”, deklaroi fillimisht Bushati në një prononcim për “Supersport”. Trajneri i bardhebluve më tej shpjegon se nuk mund të pranonte penalizimin me një vendim të jurisë të dhënë nën presionin e hapur të personave prezentë në sallë:

“Janë pamjet filmike që konfirmojnë se arbitrat janë kërcënuar dhe madje edhe ata vetë e pranuan se vendosën nën presionin e njerëzve të pranishëm aty”, tha Bushati, i cili më pas sqaroi se si nisi sherri, duke bërë të ditur se u godit pabesisht në qytetin e tij: “Në momentin që po dilja nga salla më ofendoi rëndë një person dhe shkova të sqarohem me të, por u godita pabesisht dhe më erdhi keq, pasi është jo burrërore të më ndodhë kështu në qytetin tim”, deklaron trajneri i Tiranës. Fedarata Shqiptare e Boksit ka bërë të ditur se do ta marrë në shqyrtim këto ditë ngjarjen e turpshme që ndodhi në parket e “Qazim Dervishit”.

sead-bushati-ok

Trajneri i Tiranës i bën thirrje federatës që gjithçka të analizohet në tërësi duke theksuar se nuk mund të ndëshkohet skuadra e tij për tërheqje në ato kushte: “Apeli im është që Federata të shohë çdo gjë me drejtësi, pasi nuk duhet të penalizohet ekipi që u tërhoq nga gara, por të verifikohen kushtet nëse ishte apo jo e mundur të vijohej. Duam të mos na hahet haku”, përfundoi Bushati. Ndërkohë, për këtë ngjarje ka reaguar edhe Klubi Sportiv Tirana, që e ka quajtur një skandal të vërtetë dhe një akt barbar atë që ndodhi të shtunën në Shkodër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"