Sherri/ Kamza çon Bathën në FSHF, Qarri tregon SMS-në kërcënues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2016 | 12:14

Sherri/ Kamza çon Bathën në FSHF, Qarri tregon SMS-në kërcënues

Konflikti që ndodhi në miqësoren e së mërkurës, mes mesfushorit Idriz Batha dhe trajnerit Bledar Devolli, mësohet se ka precipituar edhe në orët e mbrëmjes së 10 gushtit, në një nga lokalet e kryeqytetit.

bathaKa qenë presidenti i Kamzës, Naim Qarri, ai që ka sqaruar ngjarjen për “Panorama Sport”, i cili tregoi se lojtari i Partizanit i ka nisur një “sms” në mesnatë, ku jep kërcënimet e radhës për trajnerin e skuadrës së tij.

Qarri ka dënuar incidentin që lindi në fushë, si dhe atë që ka ndodhur disa orë më pas në një nga lokalet e kryeqytetit.

Më pas, presidenti i kamzalinjve ka treguar edhe hapat që ka ndjekur klubi i Kamzës për sjelljen e mesfushorit Idriz Batha, i cili në miqësore mbajti shiritin e kapitenit për ekipin e Partizanit.

mesazhii

Mesazhi i Bathës, i nisur në numrin e presidentit të Kamzës, Naim Qarri

Drejtuesit e klubit të Kamzës kanë vënë në dijeni për ngjarjen drejtuesit e lartë të FSHFsë, si dhe kanë depozituar në Komisionin e Disiplinës ankesën e tyre, ku kërkojnë dënimin e Bathës për sjelljen e tij antisportive ndaj trajnerit Bledar Devolli.

“Problemi që nisi në miqësoren me Partizanin, ku Batha u konfliktua me trajnerin e Kamzës, ka precipituar edhe më vonë në një nga lokalet e kryeqytetit.

Lojtari së bashku me disa persona të tjera ka shkuar në një lokal ku ishte edhe trajneri i ekipit tonë, duke vijuar kërcënimet e tij.

Nuk mundet një njeri, që është edhe futbollist i Partizanit, i cili nesër apo pasnesër mund të jetë edhe kapiteni i ‘demave’, ashtu siç qe faktikisht ndaj Kamzës, të bëjë gjeste të tilla.

Pastaj në 12 të natës ai më nisi mua një mesazh, që, sipas tij, Devollin po të dojë e mbyll në shtëpi. Kjo është një ngjarje e paprecedentë, kështu që kemi njoftuar presidentin Armando Duka, sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së.

Çështjen e kemi dërguar në Komisionin e Disiplinës, në mënyrë që ai zotëria të dënohet sipas rregullores, për sjellje antisportive”, u shpreh për “Panorama Sport”, presidenti i skuadrës së futbollit të Kamzës, Naim Qarri.

Presidenti i klubit kamzali te “Panorama Sport” ka nisur edhe mesazhin që Idriz Batha i ka dërguar në mesnatën e së mërkurës në lidhje me trajnerin Bledar Devolli.

Sipas presidentit Naim Qarri, kjo është “sms”-ja që Batha i ka nisur atij për Devollin: “un te thash qe devollin e mbyll shpi le të maj pasojat devolli”.

Mesfushori nuk reagon për akuzën

Gazeta është munduar mbrëmë që të marrë edhe versionin e mesfushorit të Partizanit për versionin e paraqitur nga klubi i Kamzës. Ka qenë e pamundur që të komunikoje mbrëmë me Idriz Bathën përmes telefonit, pasi ai ka qenë i fikur. Gjithashtu, lojtari është njoftuar për pretendimin e Kamzës edhe përmes mesazheve në profilin e tij në “Facebook”, por sërish nuk ka mbërritur asnjë përgjigje nga ai, ndonëse mesazhi figuronte si i parë nga lojtari. Batha është përgatitur dje normalisht me grupin dhe ai ndodhet gati për transfertën e Krasnodarit, duke lënë të kuptosh se ai e ka kaluar dëmtimin që pati para ndeshjes me Salzburgun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"