Sherret e Ronaldos me trajnerët, sa shumë “viktima” prej portugezit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 14:25

Sherret e Ronaldos me trajnerët, sa shumë “viktima” prej portugezit

Marrëdhënia mes Kristiano Ronaldos dhe trajnerëve të tij shpesh ka qenë disi e ashpër, nervoze. Shpeshherë problemet janë zgjidhur brenda një kohe të shkurtër, si me Zidanin për shembull, ndërsa me të tjerë ngrica ka zgjatur për një kohë të gjatë, madje në disa raste edhe nuk është shkrirë kurrë. 

sarri ronaldo

Këto pakënaqësi kanë lindur sigurisht edhe falë faktit se fenomeni portugez ka ditur, shpeshherë edhe me dashje, që t’i amplifikojë sa më shumë që të jetë e mundur pakënaqësitë e tij edhe me skena jo të bukura përballë syve të të gjithë botës.

Madje, pakënaqësitë nuk i ka frenuar as ndaj shokëve të ekipit, për ndonjë pasim të gabuar apo ndonjë zgjedhje personale të dikujt tjetër që nuk i ka pëlqyer CR7-ës. Gjithsesi, i fundit që është bërë protagonist i kësaj liste të gjatë ka qenë Mauricio Sarri, madje edhe për dy herë radhazi, ndonëse se si do të zgjidhet kjo çështje, gjithçka do të kuptohet më qartë pasi luzitani të ribashkohet në grumbullim, pas kombëtareve. Ndërkohë, përplasjet më të ashpra që Kristiano Ronaldo i ka pasur në karrierë ndaj trajnerëve, mbajnë tre emra konkretë.

PËRPLASJE TITANËSH – Në rend kronologjik, i pari që u bë viktimë e nervozizmit të Ronaldos është Karlos Keiroz, ishtrajneri i Portugalisë. Gjatë Botërorit 2010, luzitanët u eliminuan në 1/8-at e finaleve nga Spanja. Pas daljes nga fusha, gazetarëve që e pyesnin për arsyet e disfatës, Ronaldo u shpreh ftohtë, egër dhe qartë: “Pyesni Keirozin”.

Nga ai moment, marrëdhënia mes CR7-ës dhe trajnerit me të cilin kishte punuar që në kohët e Mançester Junajtidit (Keiroz ishte ndihmës i Aleks Fergusonit) kanë ngrirë përfundimisht. Gjithsesi, edhe më e paharrueshme do të jetë përplasja mes Kristiano Ronaldos dhe Zhoze Murinjos, në periudhën e Realit të Madridit, ndonëse zjarri u ndez në dopiosfidën deçizive ndaj Barcelonës, në gjysmëfinalet e Champions-it të vitit 2011.

Pas ndeshjes së vajtjes, të luajtur në “Santiago Bernabeu”, Kristiano kishte shprehur hapur pakënaqësinë për skemat ultrambrojtëse të urdhëruara nga portugezi ndaj skuadrës. Por Murinjo, edhe pse nuk u përgjigj me zë, e bëri me vepra, duke e ulur në stol sulmuesin në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Saragozës.

RAFAEL BENITEZ – Duke mbetur tek aventura me Realin, Ronaldo ka pasur një marrëdhënie thuajse gjithmonë të tensionuar me Rafael Benitezin. Për portugezin, çdo rast ishte i duhur për të sulmuar trajnerin e tij, aq sa njëherë, kur dikush e pyeti nëse kishte qenë Benitezi ai që i kishte mësuar se si t’i gjuante goditjet e dënimit, CR7 u përgjigj: “Pa dyshim që mund të mësosh nga trajnerët, por në të njëjtën kohë ekzistojnë edhe disa gjëra që nuk mund të mësohem. Pra, disa gjëra ose i ke, ose jo. Benitez nuk fliste vetëm për goditjet e dënimit, por donte të na mësonte edhe si gjuhej topi, driblohej… Si mund t’i përgjigjesha? I thosha vetëm: ‘OK, dakord…’. Është e vështirë që të ndash mendimet me dikë që mendon totalisht të kundërtën tënde”. Dhe pas këtyre fjalëve të Ronaldos, Benitezi nuk rezistoi më shumë se 4 muaj të tjerë te Reali.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"