Sherr mes tifozëve, policia qetëson të pabindurit. Ja pikantet e sfidës Skënderbeu-Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 23:26

Sherr mes tifozëve, policia qetëson të pabindurit. Ja pikantet e sfidës Skënderbeu-Tirana

Skënderbeu rikthehet te fitorja në Korçë pas më shumë se një muaji dhe pas dy rezultatesh jo të kënaqshme, një barazim dhe një humbje. Një gjë të tillë bardhekuqtë e bëjnë më së miri përballë Tiranës në kampionat, duke u ngjitur në vendin e katërt në klasifikim.

sKENDERBEU-TIRANA

Një fitore kjo, që sjell edhe atmosferën në shkallët e stadiumit, një atmosferë e munguar prej shumë ndeshjesh në stadiumin “Skënderbeu”. Pavarësisht motit të ftohtë në Korçë, me temperaturat disa gradë nën zero, sërish tifozët janë bërë bashkë në mbështetje të ekipit bardhekuq, në një ndeshje kaq delikate sa kjo ndaj Tiranës.

Më shumë se 2000 tifozë kanë qenë të pranishëm në stadium ditën e djeshme, teksa binte në sy edhe prezenca e rreth 300 tifozëve miq, të cilët kishin ardhur në mbështetje të ekipit të kryeqytetit.

Tifozet e Skenderbeut

Presidenti Ardjan Takaj, së bashku me atë të Tiranës, Refik Halili, e kanë parë së bashku takimin nën shoqërinë e Arlind Boshkut dhe kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filo.

Pragndeshja mes Skënderbeut dhe Tiranës nuk mund të niste pa një incident, me protagonistë tifozët bardheblu. Në momentin që po hynin në tribunën e miqve, ultras “Fanatics” kanë debatuar në distancë me disa tifozë të Skënderbeut.

Ka pasur veç të tjerash edhe hedhje sendesh mes tifozërive, por ndërhyrja e policisë ka normalizuar gjithçka. Ndeshja nis me një përqafim të ngrohtë mes Dajës dhe Ahmatajt, që ndesheshin për herë të parë me njëri-tjetrin këtë sezon.

Ilir Daja

Minutat e para të takimit trajneri i Skënderbeut është më impulsiv, duke kërkuar perfeksionin nga të tijtë. Ilir Daja e kap fillimisht me Gripshin, duke i kërkuar që të hyjë mes linjave dhe të kujdeset për pasin e fundit, gjë të cilën lojtari e vë në zbatim më së miri, jo më kot konsiderohet një nga më të mirët në këtë takim. Nuk mungojnë ovacionet për Zhan Ndeki, beniamini i tifozërisë bardhekuqe. Edhe pse prej javësh në Korçë si titullar, sërish sportdashësit korçarë pëlqejnë t’i thërrasin “Olainka”.

Ndeki

Ende pa u mbyllur gjysma e pjesës së parë, Dejvi Bregu detyrohet të ndërrojë këpucët. Takat e zgjedhura nga lojtari ishin mjaft të gjata dhe terreni ishte shumë i fortë. Kjo detyron lojtarin që të ndryshojë madhësinë e takave dhe të rikthehet më pas në fushën e lojës.

Në pjesën e dytë duket se gjithçka ndryshon. Edhe për shkak të golit të shënuar, trajneri Daja është më i qetë, ndërsa Ahmataj kërkon nga të tijtë të ndryshojnë fytyrë në lojë. Në disa raste, së bashku me Akil Jakupin, mundohen të gjejnë diçka për ta bërë ekipin të reagojë, por duket se e kanë të vështirë në një ditë të tillë.

Kulmin, irritimi i trajnerit të Tiranës e arrin në mesin e pjesës së dytë, atëherë kur bardheblutë pretendojnë për pozicion jashtë loje. Ahmataj kërcen i gjithi përpjetë, duke kërkuar sa tek anësori aq edhe te gjyqtari i katërt të drejtën. Në pjesën e dytë, tifozëria korçare kthehet kundër dy korçarëve të Tiranës. Duket disi e çuditshme, por sa herë Osmani dhe Vangjeli prekin topin, fërshëllimat ishin të shumta. Nuk dihet pse ky reagim i tifozërisë ndaj dy lojtarëve që kanë fituar aq shumë me Skënderbeun.

Skenderbeu festa

Duket se humbja nuk i ka lënë shije të mirë presidentit të Tiranës Refik Halili, i cili dukshëm ka qenë i pakënaqur me atë që po tregon ekipi i tij në këto 13 javë kampionat. Ahmataj largohet i nxehur nga stadiumi. Menjëherë pasi foli pas ndeshjes për “SuperSport”, trajneri i Tiranës refuzoi ta bënte një gjë të tillë për mediat e tjera.

LL. SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"