Sherr masiv dhe grushte në fushë, zbresin edhe vetë presidentët. Njihuni me pikantet e Egnatia-Korabi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 16:42

Sherr masiv dhe grushte në fushë, zbresin edhe vetë presidentët. Njihuni me pikantet e Egnatia-Korabi

Stadiumi u kthye në një “arenë” të vërtetë. Nëse për 80 minuta lojë gjithçka ishte brenda normalitetit, në fund jo edhe aq. Gjithçka nisi me disa shtyrje dhe degradoi te një sherr masiv.

bandicam 2022-05-31 18-46-19-769

– Ishte e 89-ta minutë kur gjithçka agravoi. Xhekson ishte duke kontrolluar topin në anësore dhe tre lojtarë të Korabit i ndërhyjnë brutalisht, veçanërisht kapiteni Sokol Mziu. Plas grushti mes futbollistëve të të dyja skuadrave afër pankinës së Egnatias. Më pas arbitri ndal lojën, futen stjuardët në fushë për të sheshuar gjithçka. Presidenti Demrozi zbret nga tribuna dhe kërkon qetësi prej tifozëve, nga u hodhën një lumë sendesh në fushë. Më pas ishte administratori i Korabit, Fehmi Mëziu, ai që futet në fushë dhe i kërkon llogari Eldorjan Hamitit. Loja ndalet për gati pesë minuta, me arbitrin që ndëshkoi vetëm dy lojtarë me të verdhë, Sokol Mziun dhe Ildian Shytin.

– Por nuk mbeti me kaq, pasi edhe pas 5 minutave shtesë dhe vërshëllimës finale të kryesorit shpërtheu një tjetër sherr. Por, jo me përmasat e atij të mëparshmit. Gjithçka, u mbyll më shpejt.

– Moment delikat ishte edhe ai i penalltisë, kur pati një debat mes kapitenit Gëzim Krasniqi dhe sulmuesit Pedro Augusto. Ky i fundit kërkonte me insistim të godiste 11-metërshin, por Zekirija Ramadani nuk e lejon. Në këtë moment braziliani bën gjeste që acarojnë edhe shokët e skuadrës. Trajneri kërkonte që ta gjuante mbrojtësi kavajas, por ky i fundit ia delegoi brazilianit tjetër dhe Xhekson Kenio nuk gaboi. Nuk zgjati tri minuta dhe vjen “dënimi” për sulmuesin rebel. Direkt u zëvendësua, duke ia lënë vendin Artur Maganit. Dukshëm i mërzitur ia jep dorën peqinasit, por jo një prej anëtarëve të stafit.

– Takimi u ndoq nga rreth 1700 tifozë, mes të cilëve ishin edhe 200 që kishin ardhur nga Peshkopia. – Pa kaluar as 5 minuta, loja ndalet për një faull dhe në atë çast ultrasit e Egnatias lëshojnë tymuese. Tymi i dendur bën të mos nisë loja për rreth 2 minuta. – Në fund lojtarët e Egnatias, të ekzaltuar, përshëndetën me tifozët.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"